2015-07-13 15:05:00

Ipeshkvijtë grekë: “pa BE-në nuk shkojmë askund”


“Shpresojmë që lajmi për arritjen e marrëveshjes të pasohet nga nënshkrimi i saj. Greqia, pa Bashkimin Evropian, nuk mund të shkojë askund”. Me këto fjalë, kryetari i ipeshkvijve katolikë të vendit, imzot Franghiskos Papamanolis, komentoi rezultatin e Eurosummit, që miratoi planin prej 86 miliard eurosh për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi.

Tsipras i fitoi zgjedhjet me premtime, që s’mund t’i mbante

         “Nuk mund të bënim pa këtë marrëveshje – nënvizon kryeipeshkvi. Tani, si grekë, duhet të mësohemi akoma më shumë të punojmë e të kursejmë. Duhet të them me keqardhje se, këto gjashtë muajt e fundit (që kur fitoi zgjedhjet Syriza), është humbur kohë kot. Qeveria jonë nuk e kuptoi mirë situatën. Duhet thënë se Tsipras trashëgoi një gjendje shumë të keqe. Fitoi zgjedhjet me premtime, që s’mund t’i mbante. E ja, tani e kupton realitetin e hidhur, që s’mund të mohohet. Greqia, pa Evropën, nuk shkon askund”.

Në Greqi nevojitet bashkim

         “Vendi duhet të rifitojë besimin për të vijuar ecjen – shpjegon imzot Papamanolis. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për bashkim e duhet të ndjekim të njëjtat objektiva. Një qeveri e bashkimit kombëtar mund të ndihmojë në këtë drejtim, por partitë duhet të lënë mënjanë interesat e veçanta. Brenda ditës së nesërme – përfundon – presim ndryshime në qeveri, ku, sipas mediave greke, tre ministra do të japin dorëheqjen. Ndërkaq, bankat janë akoma mbyllur e shpresa jonë është të nënshkruajnë marrëveshjen. Një marrëveshje kundër ‘jo’-së, që doli fitimtare në referendumin, të cilin, ndoshta, nuk e kuptoi askush në Greqi, sepse askush nuk e shpjegoi”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.