2015-07-13 17:11:00

Françesku: fjalimi pa fjalë!


 Vizita nuk ishte në programin e shtegtimit. Po sa e sa gjëra ka bërë deri tani Papa “jashtë programi”! Një prej tyre, më e pafjala, ishte vizita në Institutin San Rafael, themeluar nga atë Trento, belunez i Vëllazërisë Shën Karl Borromeos. Në kompleks është një shtëpi, ku kalojnë çastet fundme të jetës të sëmurë në prag të vdekjes, një jetimore, një shkollë për 200 fëmijë, një strehë për pleq e një shtëpi për vajza nëna e që kanë pësuar dhunë.Të gjitha, nën kujdesin e Kishës në Paraguái.

Këtu Papa mbajti fjalimin më të bukur, më prekës! Fjalim pa asnjë fjalë. Kur duhet folur, Papa flet. Kur duhet ledhatuar, ledhaton. Po kur duhet heshtur, di të flasë me heshtje vërtet prekëse.

U ndalua, pra, Papa, para të sëmurëve në fill të mortjes, para të fundmëve më të fundëm, me plagë të pashërueshme e deformime të tmerrshme në trup. I pa e, si i tha meshtarit, që e shoqëronte: “Këtu nuk mund të bëj gjë tjetër, veçse të përqafoj”, nisi vizitën “jashtë programit”

Nuk u takua, këtë çast, me presidentë a diplomatë. Nuk rroku njerëz të shquar, me emra të njohur, që i dinë të gjithë. Iu afrua me dashuri të pafundme të sëmurëve pa emër, të shtrirë në krevatet e tyre, nën kujdesin e njerëzve të Kishës. Ua ledhatoi fytyrat e i mori ngrykë. Në heshtje. Pa asnjë fjalë. E ky ishte, ndoshta, një nga fjalimet më prekëse, që mbajti në këtë shtegtim kaq të gjatë, kaq të ngarkuar me ngjarje, kaq të lodhshëm. U la pas, kështu, hirin e prekjes së dorës së tij, dorë e mëkëmbësit të Krishtit mbi tokë, njerëzve që përgatiten të  provojnë përqafimin e vetë Zotit!

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.