2015-07-11 12:36:00

Papa: gratë e burrat e Paraguait për një demokraci jo formale.


Papa Françesku, në kuadrin e shtegtimit apostolik në Amerikën Latine, natën që kaloi mbërrini në Paraguai, etapën e tretë e të fundit të udhëtimit të tij baritor. Posa mbërrini në Asunciòn, kryeqytet të Paraguait, Papa u prit me një përzemërti të veçantë. Koha me shi nuk i pengoi paraguaianët të vërshonin në masë nëpër rrugë për t’i shprehur Papa Françeskut mirëseardhjen e tyre të përzemërt e gazmore. Në aeroportin Silvio Pettirossi të Asunciòn, gjatë një ceremonia solemne, Papa Bergoglio u prit nga Presidenti i Republikës Horacio Cartes me nderime të larta dhe himne në gjuhën guarani’, gjuhë vendase e njohur si gjuhë zyrtare së bashku me atë spanjolle.
Pas nderimeve me lule që fëmijët i bënë Papës, Ati i Shenjtë bekoi targën përkujtimore të vizitës së Gjon Palit II në Paraguai, nga 16 deri më 18 maj 1988. Fjalimin e tij të parë publik në Paraguai e mbajti para autoriteteve të Vendit e trupit Diplomatik, në Pallatin presidencial në Asunciòn, menjëherë pas vizitës së nderit te presidenti Horacio Cortes.

Papa Françesku falënderoi për përzemërsinë e mikpritjes, dhe menjëherë kujtoi historinë e dhimbshme të Paraguait, luftërat e diktaturat ndërmjet 1800 e 1900 që janë përballuar me guxim, në saje të aq shumë “paraguaianëve të panjohur, protagonistë të vërtetë të jetës së popullit”. Duke folur për “vuajtjet e tmerrshme të luftës, për ndeshjet vëllavrasëse, për mungesën e lirisë dhe shkeljen e të drejtave njerëzore”, Papa shtoi: ” Sa dhimbje e sa vdekje! Por kemi qëndresën e admirueshme dhe shpirtin e reagimit të popullit paraguaian për t’i kapërcyer këto rreziqe e fatkeqësi dhe për të vijuar me punën e pareshtur për të ndërtuar një komb të begatshëm e në paqe”.

Duke iu referuar konflikteve të së kaluarës me Vendet tjera latinoamerikane, Papa Françesku shpreh tërë “admirimin” e tij për gratë paraguaiane, të cilat kanë ditur të reagojnë ndaj masakrave të njerëzve të tyre, ndaj një “lufte të padrejtë e mizore, e cila arriti të shkatërronte gati gati vëllazërimi e popujve tanë”: “Mbi krahët e tyre: nëna, gra e vejusha bartën peshën më të madhe, qenë në gjendje t’i mbanin e çonin përpara familjet e tyre dhe Vendin e tyre, duke u transmetuar brezave të ri shpresën e një të nesërme më të mirë. Zoti i bekoftë gratë paraguaiane, më e lavdishmja e Amerikës Latine!”.
Papa Françesku nënvizoi rëndësinë e memories së mbështetur “mbi drejtësi” dhe të lirë nga ndjenjat e hakmarrjes e të urrejtjes” e foli për “absurditetin e luftës”: “Kurrë më luftë ndërmjet vëllezërve! Ta ndërtojmë gjithmonë paqen! Edhe paqen e çdo dite, ditë për ditë, paqen e jetës së përditshme, në të cilën duhet të marrin pjesë të gjithë, duke iu shmangur gjesteve arrogante, fjalëve fyese, sjelljeve prepotente, e ta promovojmë përkundrazi mirëkuptimin, dialogun e bashkëpunimin”.

Për këtë, Papa latinoamerikan e konsideron Paraguain të aftë t’i kundërvihet “demokracisë formale”: “Tash sa vite, - komentoi Papa Bergoglio, - Paraguai është i impenjuar në ndërtimin e një projekti demokratik të fortë e të qëndrueshëm. Prandaj është e drejtë të pranojnë e t’i vlerësojmë me kënaqësi përparimet e shumta që janë bërë në këtë udhë e drejtim, me një përpjekje e pjesëmarrje të të gjithëve, edhe ndër çaste plot me vështirësi të mëdha e paqartësi”.

“Ju inkurajoj të vazhdoni të punoni me të gjitha forcat për konsolidimin e strukturave e të institucioneve demokratike që u përgjigjen aspiratave të drejta të qytetarëve. Forma e qeverisë e adaptuar në Kushtetutën tuaj: ‘demokracia me një sistem përfaqësues, pjesëmarrës e pluraliste’, e mbështetur mbi promovimin dhe respektin e të drejtave njerëzore, - nënvizoi Papa – na mban larg tundimit të demokracisë formale, të cilën Aparecida e quajti si ajo që kënaqej për faktin se është e “themeluar mbi korrektësinë e proceseve elektorale””.

Papa Bergoglio bëri thirrje të “përforcohet dialogu, posaçërisht në veprimtarinë publike”, duke kujtuar “nevojat që kanë të varfrit”, e duke vlerësuar përpjekjet e Vendit “në fushën e edukimit dhe në fushën e shëndetësisë”, e siguroi “angazhimin dhe bashkëpunimin e Kishë Katolike në orvatjen e përbashkët në punën e ndërtimit të një shoqërie më të drejtë, përfshirëse, në të cilën të mund të jetohet së bashku në paqe e në harmoni”.
Kontributi i demokracive të reja latinoamerikane në ndërtimin e modeleve shoqërore përfshirëse, për paqen e popujve e të mbarë botës, është pra një prej temave që Papa ka përzemër e në qendër të vëmendjes në etapën e fundit të udhëtimit në Jug të Amerikës.








All the contents on this site are copyrighted ©.