2015-07-11 18:13:00

Asunción. Papa në spitalin pediatrik: të bëhemi të përvuajtur, si fëmijët!


Vijon vizita apostolike e Papës në Paraguái, ku arriti në orën 15.00 sipas orës së Asuncion, e u prit me ceremoninë e mirëseardhjes në aeroportin ndërkombëtar “Silvio Pettirossi”. Takimet e para, institucionale: një herë në Pallatin Lopez, për vizitën në selinë e presidentit të Republikës e, më pas, në takimin me autoritetet e me Trupin Diplomatik.

Më pas, vizita ndërmjet të shtruarve të vegjël të Spitalit të Përgjithshëm Pediatrik  “Niños de Acosta Ñu”.

“Duhet ‘të mësojmë’ nga besimi, gëzimi, dhimbsuria e fëmijëve”, ishin fjalët e para të Papës në spitalin pediatrik “Niños de Acosta Ñu”.  Françesku vizitoi tre reparte e, pastaj, u takua edhe me përfaqësinë e spitalit.

 Ekziston një lidhje e fortë ndërmjet Papës e të sëmurëve të vegjël. Nuk është hera e parë që shkel në një spital pediatrik. E edhe gjatë këtij shtegtimi në Amerikën Latine, deshi t’i vizitojë fëmijët, që vuajnë në shtratin e  sëmundjes, në spital. E nisi me një çast takimi privat me të vegjlit, vizitën Papa, larg telekamerave, duke i quajtur  kreshnikë të vërtetë këta vocërrakë:

“Duhet të mësojmë nga ju, nga besimi juaj, nga gëzimi, njomësia–tha Papa - nga aftësia juaj për të luftuar, nga qëndrueshmëria juaj. E dhe nga  aftësia e pamposhtur për të rezistuar”.

Një forcë, që i ndihmon edhe të rriturit të ecin përpara. Ati i Shenjtë, më pas,  ua drejtoi fjalën edhe një mori prindërish, të pranishëm në spitalin “Niños de Acosta Ñu”:

“E di se nuk është aspak e lehtë të jesh këtu. Ka çaste dhimbjesh të forta, paqartësie e çaste ankthi, që e ndrydh zemrën. Por edhe çaste gëzimi të papërshkrueshëm.  Të dyja këto ndjenja bashkëjetojnë, janë në shpirtin tonë. Por nuk ka ilaç më të  mirë se dashuria juaj, se afërsia juaj”.

Spitali, që vizitoi Françesku, me 100 shtretër, për sëmundje të ndryshme fëmijërore, sidomos për sëmundje të rënda, është kthyer në një ishull të vërtetë shprese, në një Kontinent të pafund. Prej këndej Papa i  falënderoi edhe mjekët, infermierët si dhe gjithë personelin e Spitalit:

“Faleminderit për këtë shërbim, përmes të cilit jo vetëm ndihmoni, jo vetëm mjekoni, por edhe shoqëroni dhimbjen e vëllezërve tuaj, duke e lehtësuar”.

E në këtë detyrë, u kujtoi, mund t’ju ndihmojë afërsia e Jezusit, që është pranë të gjithëve, në zemër. Pa harruar se fëmijët, theksoi Papa…:

“…  janë të zgjedhurit e Jezusit. Jo se Jezusi nuk i donte të mëdhenjtë, por shoqëria e fëmijëve i pëlqente më shumë e shpesh edhe i merrte si shembull. I deshi aq, sa një herë u tha dishepujve: ‘Nëse… nuk do të bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit” (Mt 18, 3)”.

Së fundi Françesku i ftoi fëmijët e  sëmurë të luten, të flasin me Jezusin, ta pyesin për gjithçka, t’i kërkojnë ndihmë, kur kanë dhimbje. Jezusi është gjithnjë pranë nesh – kujtoi:

“E ku është Jezusi, është Maria, Zoja e Caacupé-së. T’i lutemi të na mbrojë me mantelin e saj, të ndërmjetësojë për ju e për familjet tuaja. E, mos harroni të luteni edhe për mua. Jam krejt i sigurt se lutjet tuaja arrijnë në qiell”.








All the contents on this site are copyrighted ©.