2015-07-10 17:03:00

Papa të burgosurve të Palmasola-s: dashuria e Krishtit ta rikthen dinjitetin.


Papa Françesku vizitoi sot pasdite të burgosurit e Qendrës së Edukimit të Santa Cruz-Palmasola. Të burgosurit e pritën me padurim,  të mbyllur në një mjedis, disi të ndryshëm nga burgjet klasike. Këtu regjimi ka një farë lirie. I burgosuri mund të zgjedhë të punojë, të studiojë ose të bëjë ndonjë gjë tjetër. Por edhe këtu ndjehen problemet e zakonshme të instituteve të riedukimit, sidomos, problemi aktual i grumbullimit të tepruar, apo i tejmbushjes së burgut. Edhe këtu ka më shumë njerëz, sesa mund të zërë ndërtesa. 

Duke iu drejtuar  këtyre njerëzve, Papa foli për lidhjen ndërmjet fesë, shpresës e dashurisë së ofruar nga Krishti mbi Kryq. Vetë Papa u paraqit para tyre si njeri i falur. Si njeri i shpëtuar nga mëkatet. I prekur nga mëshira e Atit, dashuria e të cilit shëron, fal, ringre në këmbë, mjekon. Është dashuri që ta vë përsëri në vend dinjitetin. Françesku kujtoi shenjtorët Pjetër e Pal, dishepuj të Krishtit: edhe ata qenë në burg, humbën lirinë. Në këtë rrethanë diçka i ndihmoi, diçka nuk i la të binin në dëshpërim, në errësirën, që mund të  burojë nga jeta fare pa kuptim, e mbyllur në një qeli. E ajo diçka, që i ndihmoi, ishte lutja, personale e komunitare. U lutën vetë e edhe të tjerët u lutën për ta. Dy lëvizje, dy veprimtari të cilat, së bashku, formojnë një rrjet, që mbështet jetën dhe shpresën. Na mbron nga dëshpërimi e na nxit ta vijojmë rrugën:  

“Kur Jezusi hyn në jetën e njeriut, ajo nuk mbetet më e burgosur në të kaluarën e vet. Atëherë njeriu nis ta shikojë të tashmen në një mënyrë tjetër, me tjetër shpresë. Nis ta shikojë veten, jetën vet, me sy të tjerë. Nuk mbetet rob i asaj, që ndodhi, por e ndjen se është në gjendje të rifillojë nga e para”.

Kjo siguri na nxit të punojmë për dinjitetin tonë. Burgimi nuk është sinonim i përjashtimit; është pjesë e procesit të rikthimit në radhët e shoqërisë. Papa nënvizoi se në këtë Qendër të Rehabilitimit, bashkëjetesa varet në një masë të madhe nga vetë të burgosurit. Vuajtja e mungesat mund ta bëjnë zemrën egoiste e t’i hapin rrugën konflikteve, por të gjithë e kanë aftësinë t’i shndërrojnë në raste vëllazërimi të vërtetë:

“Ndihmojeni njëri-tjetrin, u tha Papa. Mos kini frikë ta mbështesni njëri-tjetrin. Djalli kërkon rivalitete, përçarje, fraksione. Luftoni për të ecur përpara”.

Në përfundim, Françesku u drejtoi fjalën edhe atyre, që punojnë në këtë Qendër; drejtuesve, policëve, gjithë personelit: “Bëni një shërbim publik themelor, shpjegoi. E keni një detyrë shumë të rëndësishme në këtë proces të  rikthimit në shoqëri. E kjo është detyrë që larton, jo që poshtëron; që ta jep dinjitetin, jo që ta merr; që të ikurajon, jo që të tmerron. Ky proces kërkon të braktiset logjika e të mirëve dhe e të këqijve, për të kaluar në logjikën e përqendruar mbi ndihmën, që i duhet dhënë njeriut. Në këtë mënyrë krijohen kushte më të mira për të gjithë, sepse një proces i jetuar kështu, i fisnikëron njerëzit, i inkurajon e i ngre përsëri në këmbë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.