2015-07-10 12:48:00

Papa në meshën e Santa Cruz: dinjitet për të gjithë, me logjikën e bashkimit


Ftesë për ta shndërruar logjikën e hedhurinave, në logjikë bashkimi. Ky qe propozimi i Papës Françesku i cili, para një turme oqeanike 2 milionëshe, kremtoi dje pasdite meshën në Santa Cruz të Bolivisë, në sheshin e Krishtit Shëlbues. Ky kremtim hapi edhe Kongresin V Eukaristik të Kishës vendase, e cila përbëhet nga katolikë “shumëngjyrësh”, siç e tregoi edhe lutja e besimtarëve, thënë në gjuhët guaranì, spanjisht, quechua dhe aymara. Gjatë kremtimit, Ati i Shenjtë bekoi kryqet misionare, që nisen nëpër gjithë vendin, për të përfunduar në Kongresin Misionar të Santa Cruz, në vitin 2018.

         Besimtarët e ngjeshur në tre arteriet e unazës së dytë të Bulevardit kushtuar Krishtit Shëlbues e në sheshin me të njëjtin emër, sfiduan të ftohtin e lagështirën e natës dimërore të Santa Cruz për të marrë pjesë në meshë. Turmë, që i kujtoi Papës, rreth 4000 vetët e mbledhur rreth Krishtit, të cilët dishepujt donin t’i largonin, pasi s’mund t’u jepnin asgjë për të ngrënë: Ungjilli i ditës ky. Llogaritë nuk u dilnin, ashtu siç nuk dalin as sot, kur jemi përpara urisë në botë, nënvizoi Papa, përpara padrejtësisë pa fund. Tundimi për t’u shkurajuar është i madh e dëshpërimi na kaplon zemrën:

“En un corazón desesperado...

         “Në një zemër të dëshpëruar, është shumë e lehtë të gjejë vend logjika, që pretendon të imponohet në botën e sotme. Një logjikë, që e shndërron gjithçka në objekt shkëmbimi, konsumi, çdo gjë bëhet e diskutueshme. Një logjikë, që u lë hapësirë pak vetëve, duke mënjanuar të gjithë ata, që nuk ‘prodhojnë’, që nuk konsiderohen të përshtatshëm e të denjë, sepse, me sa duket, ‘llogaritë nuk dalin’”.

         E duke cituar Ungjillin e ditës, Papa Françesku kujtoi se Jezusi pati thënë se nuk është e nevojshme që njerëzit të largohen, duke i ftuar dishepujt t’u jepnin ata për të ngrënë. Ai vetë jep shembull, tregon udhën, që mund të përmblidhet në tri fjalë: “merr” pak bukë e disa peshq, “i bekon”, i ndan dhe ua “dorëzon” dishepujve, që t’ua japin të tjerëve. Tri veprime, nënvizoi Papa, që e shndërrojnë logjikën e hedhurinës në logjikë bashkësie. E Ati i Shenjtë i komentoi një për një:

“Toma. El punto de partida, es tomar muy en serio la vida de los suyos…

         “Merr. Pikënisja është se Jezusi e merr shumë seriozisht jetën e të vetëve. Vlerëson gjithçka të mirë mund të ofrojnë, gjithë bazën e mirë mbi të cilën mund të ndërtohet diçka. Nuk flet për objektet apo për pasuritë kulturore, ose për idetë, por për njerëzit”.

         Pasuria e vërtetë e një shoqërie, nënvizoi Papa një koncept që e ka përsëritur shpesh, matet me jetën e njerëzve të saj, me të moshuarit që transmetojnë urtinë e kujtesën e një populli më të vegjëlve. Jezusi, vijoi Ati i Shenjtë duke analizuar veprimin e dytë, “bekimin”, e di se buka e peshqit janë dhuratë e Zotit e nuk i trajton si të çfarëdoshme:

“El bendecir tiene esa doble mirada…

         “Bekimi përmban një këndvështrim të dyfishtë: nga njëra anë, falenderohet Zoti e nga ana tjetër, realizohet mundësia për shndërrim. Do të thotë ta kuptosh se jeta është gjithnjë dhuratë, një dhuratë që, e vënë në duart e Zotit, merr forcë dhe shumëfishohet”.

         Bekimi ka si qëllim ndarjen e dhuratës me të tjerët, vijoi Papa, pasi kështu gjejmë burimin e gëzimit e provojmë shëlbimin. Është buka e marrë në dorë nga Zoti, që e bekuar dhe e ofruar, i ngop të gjithë, aludoi Papa për Bukën e jetës:

“La Eucaristía es el «Pan partido para la vida del mundo»…

         “Eukaristia është ‘bukë e thyer për jetën e botës’, siç thotë motoja e Kongresit V Eukaristik, që përurojmë sot e që do të zhvillohet në Tarija. Është Sakrament bashkimi, që na bën të dalim nga individualizmi për ta ndjekur së bashku Krishtin. Na jep sigurinë se ajo që kemi e ajo që jemi – nëse pranohet, bekohet e ofrohet – përmes fuqisë së Zotit, me pushtetin e dashurisë së Tij, bëhet bukë e jetës për të tjerët”.

         Në fund të meshës u bekuan Kryqet Misionare, akoma nën jehonën e fjalëve të Atit të Shenjtë për një Kishë, që është bashkësi me kujtesë, të cilën ia dhuron shoqërisë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.