2015-07-10 17:53:00

Papa, Morales e kryqi me drapër e çekan


Krishti i kryqëzuar mbi drapër e çekan, që Morales i dhuroi Papës, u bëri një përshtypje të thellë mbarë besimtarëve të botës, posaçërisht atyre, që  e kanë provuar ç’do të thotë ky tip kryqëzimi. Jehona  e preku Morales-in, që ndërhyu menjëherë, për të sqaruar pse e zgjodhi këtë dhuratë tejet të çuditshme: “Nuk e shpika vetë, sqaroi. U realizua nga një vizatim i jezuitit  martir i të varfërve,  atë Luis Espinal. Nuk është faji im, nëse ka të bëjë me punë komunizmi e kapitalizmi e edhe me përkimet e mia e të Papës për tema, si ajo e mbrojtjes së tokës mëmë e njeriut. Megjithë reagimin, jo gjithnjë pozitiv, mendojmë të bëjmë një medalje, për t’ua dorëzuar burrave e grave, që e vënë besimin e tyre në Zotin, në shërbim të çlirimit të popujve”. Kështu u shpreh presidenti bolivian, duke kujtuar se Papa është politikani i parë në botë,  që prin në fronte si paqja, drejtësia shoqërore e dinjiteti njerëzor.

“Kur e pata njohur në Rio de Janeiro, shtoi Morales, thashë me vete: Tani, po, e kam edhe unë një Papë”.

Françesku u përgjigj me një fjalim të shkurtër, në shenjë falënderimi ndaj “gjestit  delikat” nga ana presidentit për dy dhuratat: Kondorin, simbol i Kombit,  e Kryqin, kujtim i atë Espinal.

E menjëherë pas theksoi se për t’iu përgjigjur këtyre ndjenjave e për të shprehur dashurinë ndaj popullit bolivian, mendoi t’ia dorëzojë të dyja  Zojës, Pajtore e Bolivisë, Nënë e Krishtit, që të kujtohet gjithnjë për popullin e vet. Madje Papa e shoqëroi këtë mendim edhe me një lutje:

“Nënë e Shëlbuesit e Nëna jonë, Mbretëreshë e Bolivisë, që nga shenjtërorja e Kapokabanës dëgjon lutjet e bijve të tu. Po i lë tek këmbët tuaja këto dhurata, që të kujtojnë fisnikërinë e fluturimit të Kondorit në qiejt e Andeve e flijimin e atë Luis Espinal. Uroj të jenë simbol i përgjigjes që i jep populli bolivian, dashurisë sate”.

Kështu Kryqi me drapër e çekan mbeti te këmbët e Zojës, Mbretëreshë e Bolivisë. Kush më mirë se ajo do të dijë t’i japë atë kuptim, që përkon me flijimin e të Birit?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.