2015-07-10 14:45:00

Françesku: të dëgjohet britma e të përjashtuarve, mjaft më me idhujtarinë e parasë!


Duhet ndryshuar sistemi ekonomik botëror e duhet zëvendësuar me globalizimin e solidaritetit. Është një nga fragmentet themelore të fjalimit të gjatë e plot pasion të Papës Françesku, mbajtur në Takimin II botëror të lëvizjeve popullore, mbrëmë, në Santa Cruz della Sierra të Bolivisë. Papa pohoi se duhet të dëgjohet britma e njerëzve të përjashtuar, të mbrohet Toka Mëmë, gjithnjë më e shkretuar, e, sidomos, siguroi se ai, personalisht, si dhe Kisha, janë gjithnjë përkrah lëvizjeve e forcave shoqërore, në betejat e tyre. Në përfundim të ngjarjes, në të cilën foli edhe presidenti bolivian Evo Morales, Françeskut iu dorëzua dokumenti përfundimtar i takimit. 

Zë i atij, që nuk ka zë, Françesku u bë “megafon planetar” i njerëzve të fundëm, përmes një fjalimi tejet të fuqishëm, drejtuar lëvizjeve popullore të mbarë botës. Foli hovshëm, i ndërprerë vazhdimisht nga duatrokitjet –  fjalë, që shtypi ndërkombëtar i vlerësoi menjëherë si më të rëndësishmet e papnisë së tij. Duke kujtuar, sidomos, se “Zoti e dëgjon britmën e popullit të vet”, Papa ofroi vizionin e tij për mënyrat më të mira që duhen pasur parasysh për t’i kapërcyer situatat e rënda të padrejtësisë, në të cilat nuk vuajnë, as mundohen të pranuarit, por të përjashtuarit e mbarë botës.  E nisi fjalimin duke pohuar se toka, shtëpia e puna janë të drejta të shenjta e, për t’i mbrojtur, ia vlen edhe të luftosh. Kur shikojmë fshatarë pa tokë, familje pa strehë e punëtorë pa të drejta, kujtoi me qortim, duhet ta pranojmë plotësisht se kemi nevojë për ndryshim, se duam, se duhet të ndryshojmë. Ashtu si duhet ta pranojmë se ky sistem imponon logjikën e fitimit me çdo kusht, pa menduar mbi kë shkel e kë përjashton nga shoqëria. E aq më pak mendon për shkatërrimin e natyrës.

“Si esto es así, insisto, digámoslo sin miedo…

“Nëse është kështu, vijoi me pasion, ta themi fare pa frikë: ne duam  të ndryshojmë, duam një ndryshim të vërtetë, sepse ky sistem nuk është më i zoti të mbahet në këmbë. Nuk mund ta mbartin më mbi shpinë popujt e nuk mund ta durojë më Toka, motra Tokë Mëmë, siç e quante Shën Françesku. Globalizimi i shpresës, që lind nga popujt e rritet nga të varfërit, vijoi Papa, duhet ta zëvendësojë këtë globalizim të përjashtimit e të indiferencës. Ndjehet nevoja për një ndryshim pozitiv, për një erë të re,  mund ta quajmë përtëritëse, ringjallëse. Për të kanë nevojë gjithë popujt e botës. E, kanë nevojë edhe  popujt e pasur, në zemër të të cilëve, me sa duket, mbretëron pakënaqësia, sundon trishtimi individualist, që e bën njeriun skllav. Duket se koha po troket çastet e fundit, në sa pëson toka, e pësojnë rëndë bashkësitë dhe njerëzit e trajtuar egërsisht. E, duke vijuar të flasë me tone dramatike, Papa kujtoi se në mbarë gjithësinë ndjehet ajo duhmë, që  Shën Bazili i Cesaresë e quante duhmë e  ‘bajgave të djallit’: është duhma e ambicjes së shfrenuar për para, që sundon mbi botë”.

“Cuando el capital se convierte en ídolo y dirige las opciones…

“Kur kapitali bëhet idhull e drejton rrugët e njerëzve, vërejti, kur lakmia për para kontrollon mbarë sistemin shoqëroro–ekonomik, e rrënon  shoqërinë, e dënon njeriun, e bën skllav, helmatis vëllazërinë njerëzore,  ngre popullin kundër popullit e, siç po e shikojmë, kërcënon edhe shtëpinë tonë të pëbashkët, motrën Tokë Mëmë. Papa inkurajoi, kështu, të përvuajturit, të përjashtuarit, cartoneros-it argjentinas, të rinjtë e papunë, fshatarët indianë, shitësit shëtitës, të mos bien në pesimizëm e të mos mendojnë kurrë se nuk mund të bëjnë asgjë për t’i zgjidhur problemet  e tyre. Problemet nuk zgjidhen duke ndjenjur! Nuk duhet të rrinë duarkryq!

“Ustedes, los más humildes, los explotados, los pobres…

“Ju, pohoi, më të përvuajturit, më të shfrytëzuarit, më të varfërit, më të përjashtuarit, pikërisht ju, mund të bëni shumë! Madje mund të them se ardhmëria e njerëzimit është në duart tuaja! Mos e ulni veten, përkundrazi, sepse jeni ju që do t’i hidhni farët e ndryshimit, një ndryshimi që, tha duke folur lirisht, duhet të nisë në radhë të parë nga zemra. Françesku foli edhe për angazhimin e Lëvizjeve Popullore që, të nxitura nga dashuria vëllazërore, rebelohen kundër padrejtësive shoqërore. E i nxiti të shikojnë fytyrat e atyre që vuajnë, plagët e njerëzimit të munduar, që ndryshon shumë nga  teorizimet abstrakte ose nga zëmëratat elegante. Ju, vijoi Papa, duke iu drejtuar përfaqësuesve të Lëvizjeve Popullore, më folët për kauzat tuaja, më bëtë pjesëmarrës në luftërat tuaja e unë, duke ju falënderuar ripohoj me forcë të drejtën për tri “T”-të: Tierra, techo y trabayo - tokë, strehë e punë! Në vijim i ftoi forcat popullore t’i zgjidhin në rrënjë problemet e përgjithshme të varfërisë, të pabarazisë, të përjashtimit, duke i kundërvënë rezistencën e tyre aktive sistemit idhujtar, që dëbon, përjashton, zvetënon e vret. Më pas Papa iu drejtua liderëve botërorë,  duke u kërkuar të jenë krijues, të ndërtojnë baza të shëndosha, mbi kërkesat reale të punëtorëve, të të përjashtuarve e të familjeve të harruara nga bota. Kisha, nënvizoi, nuk është e nuk duhet të jetë e huaj në këtë proces, nësa kumton Ungjillin, duke i shoqëruar e duke i nxitur të përjashtuarit e botës mbarë. Më pas Françesku propozoi tri detyra të rëndësishme, që, theksoi, duhet të kenë mbështetjen vendimtare të të gjitha Lëvizjeve Popullore marrë së bashku.   

“La primera tarea es poner la economía al servicio de los Pueblos…

“Detyra e parë, pohoi, është të vihet ekonomia në shërbim të popujve: njerëzit e natyra nuk duhet të jenë në shërbim të parasë. T’i themi ‘jo!’, ekonomisë së përjashtimit e të pabarazisë, në të cilën paraja sundon, në vend që të shërbejë. Kjo ekonomi vret! Kjo ekonomi përjashton! Kjo ekonomi e shkatërron Tokën Mëmë. E ky sistem nuk mund të quhet i  përgjegjshëm, përderisa vijon t’u mohojë miliarda vëllezërve të drejtat më fillestare ekonomike, shoqërore e kulturore, në qendër të vëmendjes në projektin e Jezusit. Një sistem tjetër, shtoi, nuk është utopi, e as fantazi, e shpërndarja e barabartë e fryteve të tokës dhe të punës së duarve të njeriut,  nuk është thjesht filantropi. Është detyrë morale! E, për të krishterët, ‘urdhër’. U duhet kthyer të varfërve dhe popujve ajo, që u përket!”

“La segunda tarea… es unir nuestros Pueblos en el camino de la paz…

“Detyra e dytë  vijoi, është ajo e bashkimit të popujve në udhën e paqes  e të drejtësisë, sepse popujt e botës duan të jenë autorë të fateve të veta. Asnjë forcë në botë, shtoi, nuk ka të drejtë t’i pengojë popujt për ushtrimin e plotë të sovranitetit të tyre e, kur kjo ndodh, shikojmë të lindin format e reja të kolonializmit, që vënë në rrezik paqen e drejtësinë. Duke kujtuar posaçërisht situatën në Amerikën Latine, në ‘Atdheun e Madh’, Françesku denoncoi fytyrat e reja të kolonializmit: nganjëherë, theksoi, është fytyra e pushtetit të paemër të idhullit ‘para’, herë tjetër janë traktatet  e quajtura të tregtisë së lirë, e është edhe imponimi i regjimit të kursimit, pasojat e të cilit peshojnë gjithnjë mbi punëtorët e mbi të varfërit, që vijonë ta shtrëngojnë rripin, deri ku s’mban më!  Foli më pas Papa, për ato Shtete që, me pretekstin e fisëm të luftës kundër drogës e korrupsionit, imponojnë masa, të cilat shumë shpesh e keqësojnë më tej të keqen. Papa denoncoi, pastaj, kolonializmin ideologjik, të përhapur nga përqendrimi i mjeteve të komunikimit, që kërkon të imponojë modele tjetërsuese konsumi si dhe një lloj uniformiteti kulturor. T’u themi ‘Jo!’ formave të vjetra e të reja të  kolonializmit - theksoi me forcë Françesku - e t’i themi ‘Po!” takimit ndërmjet popujve e kulturave. Më pas Papa latinoamerikan kërkoi falje për mëkatet e shumta e të rënda, të bëra kundër popujve vendas të Amerikës Latine, në emër të Zotit”. 

“Al igual che san Juan Pablo II pido que la Iglesia…

“Ashtu si Gjon Pali II, pohoi, kërkoj që Kisha të gjunjëzohet para Zotit e të kërkojë falje për mëkatet e kaluara e të sotme të bijve të saj. E, shtoi, dëshiroj të flas krejt qartë, siç bënte Gjon Pali II: lypi përvujtërisht falje  jo vetëm për fyerjet e Kishës, por edhe e kryesisht, për krimet kundër popullsive indiane vendase gjatë të ashtuquajturit “pushtimi i Amerikës”. Njëkohësisht – tha në vijim - u kërkoj të gjithëve t’i kujtojnë edhe ipeshkvinjtë, meshtarët, rregulltarët, laikët, që predikuan e predikojnë Ungjillin, shumë shpesh përkrah lëvizjeve popullore, edhe deri në martirizim. Feja jonë - tha Papa - është revolucionare, sepse e sfidon tiraninë e idhullit para, e, në vijim denoncoi rishtas atë, që e ka quajtur shumë shpesh “Lufta e tretë botërore me këste”.

“La tercera tarea, tal vez la más importante…

“Detyra e tretë, e ndoshta më e rëndësishmja që duhet të marrim sot mbi vete, nënvizoi, është mbrojtja e Tokës Mëmë. Nuk duhet të tregohemi burracakë, kur është fjala për ta mbrojtur. Është mëkat i rëndë! Shtëpia jonë e përbashkët, vijoi me hidhërim, plaçkitet, shkretohet, poshtërohet nga njerëz që nuk e dinë ç’është dënimi. Takimet ndërkombëtare të rangut të lartë vijojnë njëri pas tjetrit, por pa asnjë rezultat të rëndësishëm. Popujt, theksoi me forcë Françesku, duhet ta ngrenë zërin, derisa t’u dëgjohet, për të mbrojtur Tokën Mëmë, sepse nuk mund të lejojmë që ca interesa të imponohen, t’i nënshtrojnë shtetet, organizatat ndërkombëtare e të vijojnë ta rrënojnë gjithësinë. Ardhmëria njerëzimit, përfundoi, nuk është vetëm në duart e liderëve të mëdhenj, të fuqive të mëdha e të asaj, që e quan veten ‘ajka’ e shoqërisë. Është, sidomos, në dorë të popujve. Vijojeni luftën, i nxiti Françesku Lëvizjet Popullore, e Zoti ju mbroftë në udhën tuaj, duke ju dhënë begatisht atë forcë, që të ndihmon të qëndrosh në këmbë, forcën e shpresës, që nuk të zhgënjen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.