2015-07-10 17:40:00

Atë Lombardi: Papa përballon problemet e shoqërisë së globalizuar


Për ditën intensive të djeshme në Santa Cruz e për fjalimin e rëndësishëm të Papës për Lëvizjet Popullore, intervistuam drejtorin e Radio Vatikanit, zëdhënësin papnor, atë Federiko Lombardi:

Papa përballoi temat e shoqërisë, të botës së globalizuar, duke shprehur nevojën e ndryshimit. Analiza e gjendjes së botës së sotme tregon sa padrejtësi, sa vuajtje ka në shoqëri, në marrëdhëniet me natyrën dhe me ambientin. Papa iu drejtua Lëvizjeve Popullore, pra realiteteve të impenjuara në gjendje varfërie, duke u përpjekur të zgjidhin atë, që nuk zgjidh sistemi politik, shoqëror e ekonomik. Iu drejtua Lëvizjeve, duke u kërkuar të jenë protagoniste të ndryshimit shoqëror, për të cilin ka nevojë sot bota. Këtu shohim perspektivën karakteristike të Papës Françesku, që nxit kujdesin ndaj periferive, jo vetëm sepse prej andej mund të vlerësohet më mirë ç’nuk funksionon në botë e çfarë shkakton pabarazi, por edhe se prej andej mund të nisë një rrugë për gjetjen e zgjidhjeve të ndryshme, që nuk shihen nga qendra e një sistemi të lidhur me ekonominë e pushtetin e parasë.

 Ndokush përvijoi mundësinë e instrumentalizimit politik të pjesëmarrjes së Papës në takimin me Lëvizjet Popullore…

Eh, secili përpiqet të çojë ujë në mullirin e vet, t’i shohë gjërat nga këndvështrimi personal e t’i interpretojë sipas interesave vetjake. Papa nuk u tremb aspak nga kjo, foli me liri e vendosmëri të madhe e ky fjalim u imponua pikërisht për vlerën, forcën dhe koherencën e vet. Prandaj, është mëse e qartë cilat mund të jenë instrumentalizimet e ndryshme e cilat, interpretimet e lira e të vëmendshme për frymëzimin, që dëshiron të japë Papa.








All the contents on this site are copyrighted ©.