2015-07-09 13:18:00

Përqafimi i Papës me të moshuarit e motrave të Nënë Terezës


E papritur e bukur për rreth 70 të moshuarit e shtëpisë së motrave të Nënë Terezës në lagjen e varfër Tumbaco, në periferi të Quito-s, takimi me Papën, i cili u përkul mbi secilin, duke i dhënë dikujt një puthje, dikujt një përkëdhelje e dikujt një përqafim. Shumica e tyre as që mund të çohen nga karroca e nuk mund të bëjnë edhe shumë gjëra të tjera, por Ati i Shenjtë pati kujdes t’u tregonte se për të, ishin të rëndësishëm, pavarësisht se në mes të shtëpive më të varfëra të qytetit, nga i cili janë larg vetëm 21 kilometra. Në krahasim me vilat koloniale e me kishat baroke të ngarkuara me ar (në vitet ‘600, gjithë ai shkëlqim u jepte njerëzve shpresë, sepse ishte një lloj paraprirje e parajsës), kjo zonë është plot me baraka e me rrugë të paasfaltuara, plot pluhur. Papa i ka pranë misionaret e Nënë Terezës, të cilat vetëm pak metra nga Shtëpia e Shën Martës në Vatikan, strehojnë gratë e vajzat në vështirësi, që Ati i Shenjtë i njeh një për një.

         Sapo arriti, eprorja e bashkësisë së vogël të Tumbaco-s i vuri në qafë një kurorë me lule bardh e blu dhe e shoqëroi në kapelë, ku murgeshat u lutën në heshtje së bashku me Papën. Pastaj, në oborr, Ati i Shenjtë u zhyt në mesin e të moshuarve me përqafime e përkëdhelje për ata, që shpesh s’kanë pasur agjë në jetë. Të moshuar, nganjëherë jo dhe aq të shtyrë në moshë, por pleq, për shkak të varfërisë, të fjetjes në trotuaret e qyteteve, të shfrytëzimit në punën e rëndë të fushës, nga e cila nuk u ka mbetur asgjë, as forca për të shtrirë dorën. Por dihet, këta janë të preferuarit e Nënë Terezës dhe të motrave të saj.

         Pastaj, Papa bëri fotografi me motrat, me vullnetarët e së fundi, edhe me një fëmijë, që iu hodh ne qafë “gjyshit Françesku”, i cili e mori në krahë me ëmbëlsi. U panë sy më sy për një çast, njeriu që çon Ungjillin pranë të fundmëve dhe ai vogëlush, që bashkë me fëmijët e tjerë të Ekuadorit, përfaqëson shpresën e një populli.








All the contents on this site are copyrighted ©.