2015-07-09 16:01:00

Papa kujton atë Espinal, vrarë vetëm pse predikonte Ungjillin e lirisë!


Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Papa Françesku u  ndalua për pak çaste në vendin e vrasjes së atë Luis Espinal, meshtar jezuit, që gjatë periudhës së diktaturës pati marrë pjesë në betejat për drejtësi shoqërore e dhe në grevën 19 ditore të urisë të vitit 1977, gjatë së cilës jetoi ditë-natë pranë familjeve të minatorëve. U pushkatua nga plotonet e vdekjes, më 21 mars 1980. Papa e kujtoi atin Espinal si “vëlla e si viktimë e interesave të njerëve, që nuk dëshironin të luftohej për lirinë”. Atë Espinal, shtoi, predikonte Ungjillin. I shqetësonte ata, që e urrenin lirinë. Prandaj edhe e vranë. Që të heshtëte.

Por a heshti atë Espinal?

A u harrua zëri i tij, që predikonte lirinë ungjillore? Ka të ngjarë të jenë harruar ata, që e vranë, po ai, kurrë! E tregon vetë vizita e Papës, ftesa për të mbajtur një minutë heshtjeje e  për t’u lutur. Pastaj Françesku vijoi të flasë, për të kujtuar se atë Espinal predikoi Ungjillin. E Ungjilli sjell lirinë. Ungjilli na bën të lirë! Si çdo biri të Zotit, Jezusi na e dha këtë liri. E Ai vetë e predikoi këtë Ungjill”.

Kush ishte atë Espinal?

Jezuit, i lindur në Barcelonë, më 2 shkurt 1932. Misionar në Bolivi, ku dha mësimin e letërsisë. Më pas, komunikator në Radio “Fides” të jezuitëve, kritik kinemaje e edhe mësues i artit të kinematografisë. Njeri tejet i talentuar, prej këndej, edhe tejet i njohur mes bolivianëve e përtej.

Më 1979 nisi të botohej e përjavshmja “Aqui”, që përpiqej të zgjidhte problemet reale të njerëzve. E ai u vu në krye të saj, si drejtor. Nisi, me një guxim të pazakontë, t’i kritikonte drejtpërdrejt qeveritë e turnit, të denonconte mungesën e respektimit të të drejtave të njeriut, të mbronte dinjitetin e të nëpërkëmburve e, sidomos, të bëhej zë i atyre, që nuk kishin zë. Pastaj mori pjesë edhe në grevën e urisë e u shty edhe më tej. Nisi të kritikojë, në gazetën e tij, qeverinë e gjenralit García Meza. Dokumentacioni i fortë, lidhur me temën e trafikut të drogës, e edhe  botimi i tij, në dëm të qeverisë, i siguroi martirizmin, dy ditë para se të vritej imzot Romero në Salvador. E vranë më 21 maj 1980, ndërsa Romeron, më 23 maj.

Njeriu- Monument

Atë natë kishte shkuar të ndiqte një film, kushtuar njerëzve të përjashtuar nga shoqëria. Duke dalë nga kinemaja, e kapën  ca njerëz, që kishin një xhip pa targë. E çuan në kasaphanën publike, në zonën e Achichala-s, ku e torturuan për katër orë, për të nxjerrë mbi të gjithë mllefin e grumbulluar ditë pas dite. Pastaj e qëlluan me 17 plumba  e kufomën e tij e çuan në Achiachala-n e ëpërme, ku sot ngrihet monumenti me një kryq të madh,  në kujtim të tij. Kështu njeriun, meshtarin, dijetarin që ra i bërë shoshë nga plumbat e diktaturës, e bënë monument. Pranë këtin Njeriu-Monument u ndalua sot Papa për disa çaste, për të reflektuar, për t’u lutur për t’u kujtuar gjithë të shtypurve, të djeshëm e të sotëm se, “ku është shpirti i Zotit, aty është edhe liria”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.