2015-07-09 16:05:00

Papa: Jezusi nuk pranon të sakrifikohen përherë të dobëtit


Sot pasdite, Papa Françesku kremtoi Meshën në Santa Cruz të Bolivisë, në sheshin e Krishtit Shëlbues, si gjithnjë, së bashku me qindra mijëra besimtarë. Ky kremtim hapi edhe Kongresin V Eukaristik të Kishës vendase, e cila përbëhet nga katolikë “shumëngjyrësh”, siç e tregoi edhe lutja e besimtarëve, thënë në gjuhët guaranì, spanjisht, quechua dhe aimara.

 Ati i Shenjtë Bergoglio komentoi Ungjillin e ditës, në të cilin, edhe një herë, Jezusi shumëfishon bukët e peshqit për njerëzit, që kishin ardhur ta dëgjonin, ashtu si sot erdhën të dëgjonin Papën, i cili u foli për Krishtin, Bukë e jetës, burim shprese e gëzimi mbi tokë.

Papa u kujtoi bolivianëve sa herë e kanë provuar këtë në të kaluarën dhe u kërkoi t’ua transmetojnë edhe brezave të ardhshëm këtë përvojë, në mënyrë që shpresa të mos shuhet e gëzimi të mos humbet: "Sa herë përjetojmë situata, që pretendojnë të na e anestetizojnë kujtesën… E fillon të na kapë trishtimi, i cili na bën individualistë, na bën ta humbasim kujtesën e të qenit popull i dashur, popull i zgjedhur. Kjo humbje na shpërbën, na detyron t’ua mbyllim dyert të tjerëve, sidomos më të varfërve. Në një zemër të dëshpëruar, është shumë e lehtë të gjejë vend logjika, që pretendon të imponohet në botën e sotme. Një logjikë, që e shndërron gjithçka në objekt shkëmbimi, konsumi, gjithçka bëhet e diskutueshme. Një logjikë, që pretendon t’u lerë hapësirë pak vetëve, duke mënjanuar të gjithë ata, që nuk ‘prodhojnë’, që nuk konsiderohen të përshtatshëm e të denjë, sepse, me sa duket, ‘llogaritë nuk dalin’”.

E duke cituar Ungjillin e ditës, Papa Françesku kujtoi se Jezusi pati thënë se nuk është e nevojshme që njerëzit të largohen, duke i ftuar dishepujt t’u jepnin ata për të ngrënë. Ai vetë jep shembull, tregon udhën, që mund të përmblidhet në tri fjalë: “merr” pak bukë e disa peshq, “i bekon”, i ndan dhe ua “dorëzon” dishepujve, që t’ua japin të tjerëve. Tri veprime, nënvizoi Papa, që e shndërrojnë logjikën e hedhurinës në logjikë bashkësie. E Ati i Shenjtë i komenton një për një: “Merr. Pikënisja është se Jezusi e merr shumë seriozisht jetën e të vetëve. Vlerëson gjithçka të mirë mund të ofrojnë, gjithë bazën e mirë mbi të cilën mund të ndërtohet diçka. Por, nuk flet për objektet apo për pasuritë kulturore, ose për idetë, por për njerëzit”.

Pasuria e vërtetë e një shoqërie, nënvizoi Papa një koncept që e ka përsëritur shpesh, matet me jetën e njerëzve të saj, me të moshuarit që transmetojnë urtinë e kujtesën e një populli më të vegjëlve. Jezusi, vijoi Ati i Shenjtë duke analizuar veprimin e dytë, “bekimin”, e di se buka e peshqit janë dhuratë e Zotit e nuk i trajton si të çfarëdoshme: “Bekimi përmban një këndvështrim të dyfishtë: nga njëra anë, falenderohet Zoti e nga ana tjetër, realizohet mundësia për shndërrim. Do të thotë ta kuptosh se jeta është gjithnjë dhuratë, një dhuratë që, e vënë në duart e Zotit, merr forcë dhe shumëfishohet”.

 Bekimi ka si qëllim ndarjen e dhuratës me të tjerët, vijoi Papa, pasi kështu gjejmë burimin e gëzimit e provojmë shëlbimin. Është buka e marrë në dorë nga Zoti, që e bekuar dhe e ofruar, i ngop të gjithë, aludoi Papa për Bukën e jetës: “Eukaristia është ‘bukë e thyer për jetën e botës’, siç thotë motoja e Kongresit V Eukaristik, që përurojmë sot e që do të zhvillohet në Tarija. Është Sakrament bashkimi, që na bën të dalim nga individualizmi për ta ndjekur së bashku Krishtin. Na jep sigurinë se ajo që kemi e ajo që jemi – nëse pranohet, bekohet e ofrohet – përmes fuqisë së Zotit, me pushtetin e dashurisë së Tij, bëhet bukë e jetës për të tjerët”.

Në fund të meshës u dorëzuan Kryqet Misionare, akoma nën jehonën e fjalëve të Atit të Shenjtë për një Kishë, që është bashkësi me kujtesë, të cilën ia dhuron shoqërisë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.