2015-07-08 12:08:00

Mesha në Quito. Papa: feja e krishterë, revolucionare, thirrje për bashkim


“Ecuador, Ecuador! Abre las puertas al Redentor”

“Ekuador, Ekuador! Hapja portat Shëlbuesit!” këndoi kori në meshën e Papës Françesku në Quito të Ekuadorit, veprimtaria e parë e ditës së tretë të shtegtimit apostolik në Amerikën Latine. Turma prej një milion e gjysëm besimtarësh ishte ngjeshur si bari i 125 hektarëve të sheshit ku ishte mbledhur, rreth elterit të zbukuruar nga 100 mijë trëndafila, por shpirti i indiosve, karakteristik për këtë vend, ndjehej edhe në rrugët, që çonin drejt sheshit, edhe ato, plot.

Detyra e bashkimit

         E pikërisht një indios me ponçon kuq e bardh mbi supe lexoi në gjuhën e lashtë “quechua” Letrën e shën Palit Apostull drejtuar Timoteut. Pas Ungjillit të shpallur në spanjisht, Papa Françesku përvijoi ëndrrën e tij të çlirimit e të vëllazërimit për të gjithë popujt. Mesha e kremtua në Parkun e Dyqindvjetorit, vend relativisht i vogël e në një farë mase periferik, që të kujton, ashtu siç tha edhe Ati i Shenjtë gjatë homelisë, thirrjen për pavarësi, 200 vjet më parë, të asaj Amerike spanjishtfolëse, e cila ishte bërë e vetëdijshme për mungesën e lirisë, për shtypjen e shfrytëzimin, për nënshtrimin ndaj interesave të fuqive të kohës. Përkrah kësaj thirrjeje, Papa i parë amerikanolatin i historisë së Kishës e sheh si “thirrje” edhe “lutjen e Jezusit në Darkën e Mbrame”: “O Atë, të jenë një gjë e vetme, që bota të besojë”:

         “Do të doja që sot këto dy thirrje të bashkoheshin nën shenjën e sfidës së bukur të ungjillëzimit. Jo me fjalë të mëdha, ose me terma të ndërlikuara, por me një bashkim e pajtim, që të lindë nga ‘gëzimi i Ungjillit’, i cili e mbush krejt zemrën dhe jetën e atyre, që takojnë Jezusin”.        

Të veprohet në të gjitha nivelet

         Thirrja për liri e 200 vjetëve më parë, vijoi Papa, qe bindëse, pati forcë e u bë vendimtare nga çasti, kur u lanë mënjanë personalizmat e aspiratat për një autoritet të vetëm, kur u kuptua se proceset e tjera për çlirim kishin karakteristika të ndryshme, por jo antagoniste me ato të Quitos. Një model, që Ati i Shenjtë e dëshiron edhe për çlirimin e popujve të tjerë në ditët e sotme, për çlirimin nga varfëria, lufta e dhuna. E këtu, Papa Françesku nënvizoi se Ungjilli mund të jetë mjeti i bashkimit të aspiratave, të ndjeshmërive, të ëndërrave e madje, edhe të disa utopive:

         “Prej këndej, nevoja që të veprojmë për përfshirjen në të gjitha nivelet – të luftojmë për përfshirjen në të gjitha nivelet! – duke shmangur egozimat, duke nxitur komunikimin dhe dialogun, duke promovuar bashkëpunimin… Nuk mund të mendohet se do të shndrisë bashkimi nëse mendësia shpirtërore e kësaj bote nxit luftën mes nesh, na shtyn drejt kërkimit të shterpët të pushtetit, të prestigjit, të kënaqësisë apo të sigurisë ekonomike. E kjo, në dëm të më të varfërve, të më të përjashtuarve, të më të pambrojturve, të atyre, që nuk e humbasin dinjitetin, pavarësisht se ua vënë në shënjestër çdo ditë”.

Të gjithë vëllezër, askush nuk përjashtohet

         E para se të përfundonte meditimin e tij, në të cilin reflektoi edhe për prozelitizmin, “karikaturë e ungjillëzimit”, për rrezikun që Kisha të jetë vetëm e të zgjedhurve, për tundimin e luftës për pushtet edhe brenda saj, Papa Françesku shpjegoi se ungjillëzimi është dalje, është dëshmi edhe për të largëtit, është afërsi me ata, që e ndjejnë veten të gjykuar e të dënuar paraprakisht nga njerëz, që kujtojnë se janë të përsosur e të panjollë. Jezusi, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk na kërkon uniformitet, por “harmoni shumëformëshe, që tërheq”. Larg pra, nga popozimet e njëanshme, të ngjashme me diktaturat e ideologjitë. Nuk jemi ne që vendosim kush hyn në Kishë e kush jo. Kjo, ngriti zërin Papa, është fe e elitës, jo e Jezusit. Askush nuk duhet përjashtuar, sepse Zoti na ka bërë të gjithë bij të Tij e gjaku i Krishtit na ka shpërblyer. Së fundi, Ati i Shenjtë lartoi mbi Park të njëjtën thirrje me atë, që u ngrit nga zemrat e lira të ekuadorianëve, 200 vjet më parë:

         “Thirrja jonë, në këtë vend, që kujton thirrjen e parë të lirisë, aktualizon atë të shën Palit: ‘I mjeri unë, nëse nuk e shpall Ungjillin!’. Është po aq urgjente sa ajo, që shprehte dëshirën për pavarësi. Të josh njëlloj, të tërheq me të njëjtin zjarr. Vëllezër, të keni të njëjtat ndjenja me Jezusin; të jeni dëshmi e bashkimit vëllazëror, që bëhet dritë… Kjo do të thotë të ungjillëzosh, ky është revolucioni ynë – sepse feja jonë është gjithnjë revolucionare – kjo është thirrja jonë e vazhdueshme, më e fuqishmja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.