2015-07-08 16:52:00

Kardinali Turkson: Bolivia në pritje të takimit me lëvizjet popullore.


“Bota ka nevojë për një proces ndryshimi” Këtë pohoi kardinali Peter Turkson, kryetar i dikasterit papnor “Drejtësi e Paqe”, në përurimin e  takimit Botëror të Lëvizjeve Popullore,  që u hap dje, në Santa Cruz të Bolivisë. Nesër, në mes të pjesëmarrësve, do të jetë Papa Françesku. Takimi, në të cilin marrin pjesë delegatë të lëvizjeve popullore nga mbarë bota, organizohet pas një takimi tjetër, mbajtur në Vatikan, sipas dëshirës së Papës Françesku. Për këtë ngjarje të rëndësishme, i dërguari ynë në Bolivi, Paolo Ondarza, intervistoi kardinalin Peter Turkson:

Përgjigje: -  Ati i Shenjtë denoncon shpesh ekonominë, duke theksuar se nuk funksionon mirë, sidomos sistemi financiar… Çështja e përjashtimit na fton ta pranojmë faktin se, po t’ia delte mbanë për t’i pasur “në bord” të gjithë ata, që janë jashtë, që janë të përjashtuar, bota sigurisht do të ishte shumë më e mirë. Ky, mesazhi i takimeve. Dëgjohen këta njerëz, duke i pranuar se janë protagonistë të ardhmërisë së tyre.

Pyetje: - Pjesëmarrja e Papës nuk do të thotë se kjo ngjarje ka natyrë kishtare; është më shumë mbështetje për këtë takim, që organizohet këtu, në Santa Cruz…

Përgjigje: - Po marr një shembull: atë, që thotë Papa për emigracionin. Papa pohon: “Unë, që jam bari i Kishës universale, si mund ta pranoj faktin që një pjesë e njerëzimit mbetet pa strehë, nuk mund të gjejë shtëpi?”. Njëlloj edhe për këta njerëz, nuk mund të mos bëjmë pyetjen: “Si është e mundur të pranojnë që një pjesë e madhe e njerëzimit përjashtohet, harrohet fare nga sistemet e qeveritë?”. Kështu nuk mund të ecet përpara. Prej këndej, tema e përjashtimit, për të cilën ngulmon kaq shumë Papa, përjashtim, periferi… Është ftesë për të pranuar se të gjithë mund të japin ndihmesën e tyre për mirëqenien e njerëzimit.

Pyetje: - Si jetohet nga Lëvizjet Popullore, të pranishme këtu, në Santa Cruz de la Sierra, kjo ngjarje e rëndësishme, ky takim me Papën Françesku?

Përgjigje: - Vetë Presidenti (Evo Morales) vjen nga ky realitet: është protagonist i Lëvizjes. Prej këndej, këtu gjejmë shtëpinë e Lëvizjeve Popullore, me një President, që bën pjesë në to. Mesazhi kryesor është tejet i thjeshtë: nëse jetojmë në një shoqëri, kjo ndodh sepse pranojmë të bashkëjetojmë. Kjo pjesëmarrje e Papës u kujton qeverive dhe krerëve të tyre se duhet të mendojnë për këta njerëz, t’i përfshijnë këta sektorë, për t’i bërë protagonistë të zhvillimit të vet e të mbarë bashkësisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.