2015-07-08 16:32:00

Greqia në prag të humnerës?


Vijon saga e Greqisë në Evropë: do të dalë apo jo nga euro? Sot, kryeministri grek, Alexis Tsipras, foli para Parlamentit Evropian në Strasburg, duke i kërkuar një marrëveshje të drejtë për ta mbajtur Athinën në Eurozonë, e duke premtuar të japë detaje të planit të reformave më vonë, gjë që i nervozoi jo pak deputetët evropianë, me përjashtim të skajeve, si të djathta, ashtu edhe të majta, që mbanin parrulla me fjalën “Oxi” (Jo). Afati për të gjetur një zgjidhje për krizën greke skadon të dielën. Eurodeputetët janë lodhur së uluri në një tryezë bisedimesh, ku përveç kërkesës për hua të reja e për ndihmë, nuk ka asnjë propozim për reforma dhe për mënyrën e zbatimit të tyre në një Greqi, në prag të falimentimit.

Tsipras premtoi t’i paraqesë propozimet brenda 48 orëve, por kritikoi edhe përpjekjet për ta terrorizuar Greqinë, së cilës i është imponuar nga Evropa një politikë, që ka pasoja të rënda mbi popullin e thjeshtë. Duke folur para tij, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk vuri në dukje se vendet evropiane janë të ndara përsa i përket reagimit ndaj çështjes së Greqisë. Por, nënvizoi, “tani duhet të respektojmë njëri-tjetrin, të paguajmë borxhet që kemi ndaj të tjerëve e të mos shpenzojmë më shumë nga ç’fitojmë. Kjo është zanafilla e krizës në Greqi e jo monedha e përbashkët”. Ai paralajmëroi evropianët se mosarritja e marrëveshjes për Greqinë do të çojë në falimentimin e saj, por do të ndikojë edhe në Evropë e jo vetëm ekonomikisht, por edhe gjeopolitikisht. Tusk aludon në ndërhyrjen e Rusisë në krizën greke, megjithëse eksponentë të politikës ruse përsëritën shpesh sot se Kremlini nuk është në gjendje të ndihmojë Greqinë, borxhi i së cilës arrin në 320 miliard euro.

E vetmja siguri, tani për tani, është kërkesa e Athinës për ndihmë drejtuar Fondit evropian për shpëtimin e shteteve. Sipas gjasave është fjala për një hua trivjeçare, por akoma nuk njihet sasia e parave të kërkuara. Sot, ajo u analizua nga ekspertët e Eurogrupit, i cili, për momentin, ka në dorë vetëm premtimet e Tsipras për të zhdukur pensionet në moshë të hershme (rreth 55 vjeç për Greqinë) dhe për të rritur TVSH-në. Martin Jaeger, zëdhënës i Ministrisë gjermane të Financave, deklaroi se “nëse brenda së dielës nuk do të gjejmë zgjidhje, do të jetë e nevojshme të mendojmë për skenarë të tjerë”. Koha mbaroi.








All the contents on this site are copyrighted ©.