2015-07-07 13:06:00

Takimi gazmor i Françeskut me bashkësinë e jezuitëve


Pas Meshës në Guayaquil, Papa Françesku drekoi në Kolegjin Javier të Shoqërisë së Jezusit, institut i themeluar në vitin 1956.  Çast i këndshëm e gazmor, në atmosferën familjare, ndërmjet sivëllezërve jezuitë. Me këtë rast u festua edhe 49-vjetori i ditëlindjes së atë Antonio Spadaros SJ, drejtor i Revistës “Civiltà Cattolica”(Qytetërimi Katolik).

Drekë ndërmjet sivëllezërve, pra. Shtruar rreth sofrës, në Kolegjin Javier të Shoqërisë së Jezusit. Papa kaloi një orë e gjysëm në institutin, themeluar nga jezuitët ku, pasi kremtoi Meshën, u takua me 20 sivëllezër, ardhur nga bashkësi të ndryshme, të angazhuar kryesisht në shërbime edukative e të ndihmës shoqërore. Ishte i pranishëm edhe atë Paquito, 91 vjeç, mësues i novicëve të Kolegjit Javier, kur Bergoglio ishte provincial i jezuitëve argjentinas. Për vite me radhë Papa i ardhshëm i pati dërguar studentët e tij për t’u formuar nga atë Paquito. Ndërmjet tyre, edhe miku i Papës Françesku, shkrimtar i revistës “Civiltà Cattolica”, atë Diego Fares.

Takimi e dreka, njofton atë Federico Lombardi, kaluan në një atmosferë shumë familjare dhe iu kushtuan sidomos kujtimeve të jetës ndër jezuitë e miqve të përbashkët. Ndërmjet tjerash, edhe festimi i ditëlindjes së atë Spadaros. Papa kërkoi të vihej një qiri mbi tortën e përgatitur enkas për festën e atë Spadaros. Ndërmjet bashkësive të jezuitëve, duhet kujtuar edhe një, që ndihmon gratë, të cilat kanë pësuar dhunë ose rrezikohen të bien në duart e trafikantëve të  skllevërve modernë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.