2015-07-07 18:43:00

Quito: Turmë pa fund në Parkun e Dyqindvjetorit për Meshën e Papës


Një turmë vigane, rreth një milion e gjysëm njerëz, që mbushte përplot hapësirën prej 125 hektarësh, mbuluar me gjelbërim, i bëri kornizë arritjes së Papës në Parkun e Dyqindvjetorit, në Quito, për kremtimin e Meshës, i pari takim i ditës së tretë në Ekuador. Turma, që ishte aty qysh natën e kaluar, duke pritur, pa gjumë, edhe nën shi, e përshëndeti me ngrohtësinë më të madhe Papën, i cili u soll rreth e rreth Parkut, për t’i takuar drejtpërdrejt  këta njerëz, në pritje kaq festive. Papa shtrëngonte duart, që i zgjateshin, duke e mbuluar me një shi petalesh shumëngjyrëshe papamobilin e tij. Rrotullimi i Papës nëpër sheshin në festë, shoqërohej me këngë, muzikë e me zërin entuziast të një folësi, që komentonte lëvizjet e Atit të Shenjtë.

Parku, i përuruar më 27 prill 2013, ndodhet në një kënd të aeroportit të vjetër ku, më 1985, u ul avioni, me të cilin kishte udhëtuar Shën Gjon Palin II.

Para Meshës, në një sallon të Qendrës së Kongreseve, që ngrihet në Park, Françesku u takua, në formë private, me ipeshkvijtë e Ekuadorit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.