2015-07-07 17:24:00

Patriku Atenagora I – në përvjetorin e vdekjes


Më 7 korrik të vitit 1972 ndërronte jetë  Patriku i madh i Kostandinopojës, Athenagora I, protagonist, me Papën Palin VI, i dialogut ekumenik ndërmjet dy Kishave - katolike e ortodokse.
Ortodoksë e katolikë përkujtojnë sot përvjetorin e vdekjes, më 7 korrik 1972, të Patrikut ekumenik të Kostandinopojës, Athenagorës I (Janinë 1886- Kostandinopojë 1972). Ai lindi në   Papa i Romës, Pali VI dhe Primati ortodoks  Patriku Athenagora u takuan tri herë: për herë të parë në Jeruzalem e pastaj në Stamboll dhe në Vatikan. Para se të njihte Palin VI, Athenagora I kishte njohur e nderuar Papën Gjoni XXIII të cilit, siç thoshte vetë, i pati sugjeruar idenë e një Koncili ekumenik. Nuk duhet të harrojmë se në Koncilin II kishtar të Vatikanit qenë të pranishëm vëzhgues ortodoksë të dërguar nga Athenagora, nga të cilët meriton të kujtohet posaçërisht, Atë Andrè Climat, që luajti rolin e ndërmjetësit të Patrikut ortodoks pranë Papës Palit VI. 
Takimet ndërmjet Patrikut e dy Papëve, patën një rëndësi të dorës së parë për mirëkuptimin, hap drejt bashkimit, dëshira më e zjarrtë e Papëve të kohëve të fundit dhe e gjithë të krishterëve të mirë katolikë e ortodoksë: katolikët zbuluan ortodoksinë, ortodoksët - papatin, d.m.th katolicizmin, gjë që solli si pasojë ndryshimin e ndjenjave dhe davaritjen e mendimeve negative për njëri tjetrin. Ishte një hap i madh drejt bashkimit të pritëm!
Hapi i dytë i madh do të jetë zgjidhja e problemit të parisë, të domethënies e të vendit të saj në Kishë. Vetë Papa Gjon Pali II në enciklikën "Ut unum sint" - "Që të jemi një" - flet për nevojën e dialogut ekumenik në këtë drejtim e jo vetëm kaq, por edhe i fton kishat ortodokse të ulen në tryezën e bisedimit. Për fat të keq, nuk ka pasur atë përgjigje, që do të shënonte një hap tjetër të madh përpara në atë rrugë, që e hapën Papa Pali VI e Patriku Athenagora, e vijuan Papët e mëpasshëm, në gjurmët e të cilit po ecën me zell të madh Ati i Shenjtë Françesku. Mjafton të kujtojmë takimin e fundit në Kostandinopojës në nëntorin e vitit 2014.
Lidhur me Patrikun e Madh Athenagora po kujtojmë edhe një hollësi tjetër tepër interesante për shqiptarët: ai ishte me origjinë shqiptare. Prelati arbëreshë, Monsinjor Eleuterio Fortino, që ndërroi jetë më 22  shtator të vitit 2010-  si zëvendës-sekretar i Këshillit papnor për dialogun ndërmjet të krishterëve, duke e takuar Patrikun Athenagora për herë të parë në Kostandinopojë, ku ishte me një delegacion ekumenik të Vatikanit, i tha se ishte shqiptar, nga arbëreshët e Italisë. Për çudinë e tij të madhe, mons. Eleuterio Fortino dëgjoi Patrikun t’i përgjigjej me një përshëndetje në gjuhën shqipe, pasuar nga shpjegimi se origjina e tij e largët ishte shqiptare. Nuk çuditemi! A s'qe lindur e rritur në rrethinat e Stambollit edhe Fan Noli? E sa e sa shqiptarë të tjerë të shquar në historinë e largët e të afërt të e Turqisë e të Shqipërisë?








All the contents on this site are copyrighted ©.