2015-07-06 16:49:00

Greqia: pas referendumit, Evropa mban frymën


Pasi grekët i thanë “jo” (OXI) planit evropian për përmirësimin e llogarive të shtetit helenik, me mëse 61% të votave të referendumit të djeshëm, Evropa mban frymën për ç’mund të ndodhë në një skenar të paparë ndonjëherë. Sot paradite, ndërsa bursat e të gjithë botës zgjoheshin me shenjën negative, ministri grek i financave, Varoufakis, dha dorëheqjen për të mos penguar bisedimet e kryeministrit Tsipras me Komisionin e BE-së. Në vend të tij, bëhet ministër kreu i negociatave me Brukselin, Euclid Tsakalotos, 55 vjeçar, i cili i ka kryer studimet në Britaninë e Madhe e është pedagog në Universitetin e Athinës. Natyrisht, Varoufakis, ideator i kundërshtimit të planit nuk mund t’i shkojë për shtat Evropës, e cila akoma nuk i ka lëvizur gurët e saj. Komisioni Evropian fiton kohë, duke njoftuar se nuk mund të bëjë asgjë pa mandatin e Eurogrupit, i cili do të mblidhet nesër e, pa propozimet e Athinës. Ndërkaq, presidenti rus, Putin, i kërkon kryeministrit grek një takim të menjëhershëm. Të ndjekim komentin e prof. Antonio Villafranca, përgjegjës i Programit Evropian në Institutin italian të studimeve të politikës ndërkombëtare (ISPI):

Gjendja është shumë e ndërlikuar: falimentimi i Greqisë është pas dere. Vendimi i parë i rëndësishëm i takon Bankës Tregtare Evropiane, e cila duhet të vendosë nëse do të vazhdojë t’i furnizojë me para “cash” bankat greke, të cilat, përndryshe, do të vazhdojnë të mbahen mbyllur. Unë besoj e shpresoj se kjo Bankë nuk do ta ndërpresë krejtësisht programin e saj me Greqinë, ndonëse në pritje të vendimit të Eurogrupit të nesërm e të vendimeve të tjera. Por, një datë është e sigurtë: ajo e 20 korrikut, kur skadon një pjesë e borxhit që Greqia duhet t’i paguajë Bankës Tregtare Evropiane. Në rast se nuk paguhet, atëherë, është e qartë se Banka nuk mund të vazhdojë ta furnizojë me likuiditet.

Në prag të referendumit, mendohej se nëse do të fitonte “jo”-ja, Greqia do të dilte e mundur nga tratativat, por kishte nga ata, që besonin të kundërtën…

Mendoj se Tsipras ka luajtur një bast të rrezikshëm. Nuk jam krejtësisht i bindur se e ka fituar, duhet parë si do të reagojnë liderët e tjerë evropianë. Një gjë është e qartë: më parë kishte shtatë miliard në dispozicion të Greqisë, që do ta kishin shpëtuar nga falimentimi. E dinë të gjithë se borxhi grek ka nevojë për një ristrukturim, të paktën në masën 30-40%, por me fitoren e “jo”-së, gjithçka është e mjegullt. Rreziqet për Greqinë janë më të larta e mundësia e daljes nga euro është më e madhe se më parë. Dorëheqja e Varoufakis i ndihmon bisedimet, por, të shohim… Tspiras është ulur në tryezë me partitë e tjera për të krijuar një skuadër kombëtare, që do të flasë me Evropën. Greqia po kalon një gjendje emergjence, që nuk mund të zgjidhet vetëm nga partia e Syrizës.

Si reagon tregu?

Tregu po vuan, por jo në mënyrë dramatike. Mbizotëron pritja. Natyrisht, vedimet më të rëndësishme duhet t’i marrë Banka Tregtare Evropiane. Është llogaritur se bankave greke u duhen edhe 60 miliard euro të tjera. Kjo do të thotë se fondet, që vendet e tjera evropiane i kanë dhënë hua Greqisë, pjesërisht nuk do të kthehen e ndoshta, do të duhen fonde të tjera, gjithnjë për Greqinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.