2015-07-06 14:59:00

Atë Lombardi: bashkimi i Papës me një popull të madh, që e dëgjon dhe e kupton


Në përfundim të ditës së parë të Françeskut në Ekuador, atë Federico Lombardi, drejtor i Radio Vatikanit dhe zëdhënës i Selisë së Shenjtë, përkrah Papës në shtegtim, i dha emitentes sonë, intervistën e mëposhtme.

Pyetje: - Atë Lombardi, si kaloi shtegtimi, i gjatë 13 orë, nga Roma në Quito?

Përgjigje: - Ishte shtegtim shumë i qetë, sipas skemës, që përdor Papa  gjatë udhëtimit të nisjes, duke filluar nga takimi me gazetarët, që nuk është takim i tipit të konferencës së shtypit, me përgjigje e pyetje të zakonshme, por përshëndetje e secilit nga afër, personalisht. Më duket çast shumë i bukur e i rëndësishëm, sepse krijon frymën e bashkësisë, krijon bashkim ndërmjet Papës dhe komunikatorëve që, në një farë mënyre, janë të thirrur për “mision”, për ta ndihmuar Papën në misionin e tij , duke shumëfishuar zërat, duke shumëzuar mesazhet. Papa ia del mbanë shumë mirë kësaj lidhjeje personale, që është shumë e këndshme e hyn drejtpërdrejt në zemra. Ky ishte çasti, në këndvështrimin komunikativ, më i rëndësishëm i këtij udhëtimi të gjatë. Pastaj Papa mundi edhe të pushojë paksa, të përgatisë fjalimet e, sidomos, të lutet, siç bën zakonisht në këto raste.

Pyetje: - E kemi tashmë fjalimin e parë, atë të mirëseardhjes, si të presidentit të Ekuadorit, Rafael Correa, ashtu edhe të falënderimit nga ana  e Papës. A mund të na thoni diçka për fjalimin e parë, e për çka u tha në hapin e parë të shtegtimit drejt tri vendeve amerikanolatine?

Përgjigje: - Papa është shumë i vetëdijshëm për çastin historik, që po jetojnë këto vende, e edhe për rëndësinë e ndihmës, që u duhet dhënë për t’u orientuar mirë në udhën e zhvillimit të vërtetë, të dinjitetit njerëzor, të së mirës së përbashkët, të frymëzuar nga feja e krishterë. Papa theksoi se Ungjilli ofron çelësat për t’i përballuar problemet e këtyre vendeve. Natyrisht Françesku mendon për thellimin e drejtësisë, të integrimit komunitar të pakicave ose të njerëzve të përjashtuar nga radhët e shoqërisë, si dhe të grupeve më të ligështa. Prej këndej, mund të themi se Papa jep një mesazh e një nxitje shumë të fortë, që mund të ndihmojë për gjetjen e drejtimit të duhur, për të kuptuar cilat drejtime janë të sakta e cilat kanë nevojë të korrigjohen në aspekte të ndryshme. Më duket perspektivë shumë pozitive. Papa i drejtoi popullit ekuadorian fjalë vërtet të bukura, prekëse. I kujtoi se po ngrihet përsëri në këmbë, me dinjitet. Pranoi se po bën përpjekje e se po arrin edhe rezultate. Natyrisht kjo udhë duhet vijuar, duhet përkryer, që zhvillimi të jetë i plotë, i denjë për njeriun, për pjesëmarrjen e të gjithëve.

 Pyetje: -  Sapo shkelët në këtë vend e, sigurisht, nuk keni arritur të shihni shumë gjëra, por ka mundësi që ndonjë gjë ju ka bërë, ju, e ndoshta- ndoshta edhe Atit të Shenjtë, përshtypjen, që të bën e papritura, nëse përfytyroje diçka tjetër?

Përgjigje: - Më preku pozitivisht ajo që, gjithsesi, e prisnim, për fat të mirë: përzemërsia, ngrohtësia, gëzimi me të cilin u prit Papa, të cilin populli e ndjeu si të ishte njeri i familjes, Papë i afërt. Papë, që i flet këtij populli drejtpërdrejt, nga zemra, në mënyrë konkrete. Pritja, pastaj, e mrekullueshme gjatë rrugëve të Quitos sonte, na paralajmëron edhe për atë, që do të vijojmë të kemi ditët e ardhshme, domethënë, për takimin  thellësisht të përzemërt të Papës me këtë popull e me popujt e tjerë të Amerikës Latine. Kjo shihet edhe në fytyrat e në sjelljet e njerëzve,  në buzëqeshjen, në lotët e sinqertë, që burojnë nga emocionet e thella. E, besoj se Papa, i cili e ndjen fort temën e “popullit, parë si përvojë komunitare”, edhe në të jetuarit e fesë, në të jetuarit e përshpirtërisë popullore, në shprehjen e saj gjatë jetës së përditshme, mund të jetojë ditë shumë inkurajuese për të e për të tjerët, në këtë bashkësi, në këtë bashkim të Bariut me një popull të madh, që e dëgjon dhe e kupton!  








All the contents on this site are copyrighted ©.