2015-07-05 15:11:00

Etapat e shtegtimit të Françeskut në Ekuador, Bolivi e Paraguái


Tre shtete latinoamerikane, duke nisur nga veripërendimi, për të zbritur, më pas, diagonalisht, drejt Jugut, duke i rënë përmes Perusë e duke cikur edhe Argjentinën e tij të dashur. Kjo është harta e shtegtimit të Papës që, për nëntë ditë, nga 5 deri më 13 korriku i ardhshëm, do të vizitojë njëri pas tjetrit, Ekuadorin, Bolivinë e Paraguáin, sipas programit zyrtar të shtegtimit apostolik, që u bë i njohur nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Etapa e Ekuadorit 

Në Quito, kryeqytet i Ekuadorit, Françesku do të shkelë pasditen e 5 korrikut, me orën vendase, e do të shqiptojë fjalimin e parë në aeroportin ndërkombëtar “Mariscal Sucre”. Të nesërmen do të zhvendoset në Guayaquil, për të kryesuar Meshën para Shenjtërores së Mëshirës Hyjnore, në përfundim të së cilës do të rikthehet në Quito, për t’i bërë një vizitë mirësjelljeje presidentit të Republikës e për t’u gjunjëzuar për pak çaste në Katedrale.

Të martën, më 7 korrik, agjenda parashikon takimin me ipeshkvijtë ekuadorianë, Meshën, takimin me botën e shkollës e të universitetit e atë të shoqërisë civile. Edhe dy angazhime të tjera: paraditen e 8 korrikut Papa do të shkojë në Shtëpinë e Pushimit të Motrave të Bamirësisë  e edhe në shenjtëroren kombëtare mariane “El Quinche”, për t’u takuar me klerin, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët vendas.

Etapat në Bolivi

Pasditen e 8 korrikut, avioni papnor do të ulet në aeroportin ndërkombëtar të “El Alto”, në la Paz, kryeqytet i Bolivisë. Pas ceremonisë së mirëseardhjes, një orë më pas, Françesku do t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje presidentit, në Pallatin e qeverisë e do të takohet me autoritetet civile në Katedralen e La Paz. Në mbrëmje, Papa do të jetë përsëri në avion duke fluturuar në drejtim të Santa Cruz de la Sierra ku, paraditen e mëpasme, do të kremtojë Meshën, ndërsa pasdite do të jetë me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët bolivianë, për ta përfunduar ditën, duke marrë pjesë në Takimin III botëror të lëvizjeve popullore, në qendrën e panairit Expo Feria. Edhe në këtë rast, para nisjes për Paraguái, paraditen e 10 korrikut do t’ia kushtojë vizitës në qendrën e riedukimit Santa Cruz-Palmasola dhe takimit me ipeshkvijtë e Bolivisë.

Etapa e Paraguáit

Pastaj, arritja në Paraguái, në orën 15.00 sipas orës së Asuncion, me ceremoninë e mirëseardhjes në aeroportin ndërkombëtar “Silvio Pettirossi”. Takimet e para, institucionale: një herë në Pallatin Lopez, për vizitën në selinë e presidentit të Republikës e, më pas, në takimin me autoritetet e me Trupin Diplomatik.

Të shtunën, më 11 korrik, në mëngjes, Papa do të jetë ndërmjet të shtruarve të vegjël të spitalit të përgjithshëm pediatrik  “Niños de Acosta Ñu”. Pastaj do të kryesojë Meshën Shenjte në Sheshin  e shenjtërores mariane të Caacupé. Pasdite, Françesku do të jetë me përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të kryesuar, më pas, kremtimin e Mbrëmësoreve me klerin dhe rregulltarët e vendit dhe me anëtarët e Lëvizjeve katolike, në Katedralen e Zojës së Ngjitur në Qiell.

Dita e fundit e  shtegtimit do të hapet  me vizitën, që Papa do t’i bëjë popullsisë së Bañado Norte, do të vijojë me kremtimin e Meshës në fushën e madhe të Ñu Guazú e me takimin me ipeshkvijtë vendas.  Në përfundim të shtegtimit, takimi me të rinjtë paraguáianë e, rreth orës 19.00 me orën vendase, nisja e avionit për Romë. Arritja, në aeroportin romak të Ciampinos, parashikohet për orën 13.45 të 13 korrikut. 








All the contents on this site are copyrighted ©.