Të dashur dëgjues, së shpejti, në tetorin e ardhshëm në Vatikan do të mbahet Sinodi
kishtar kushtuar familjes. Papa Françesku pati thirrur edhe Sinodin e jashtëzakonshëm
të tetorit të vitit të kaluar për të reflektuar për familjen me vlerat dhe sfidat
që ka sot. Kohëve të fundit, në katekizmin e Audiencave të përgjithshme, flet për
aspekte të ndryshme të familjes. Së shpejti e pikërisht më 22 shtator të ardhshëm
në Filadelfia do të mbahet Takimi botëror i familjeve. Pra,s’ka dyshim se familja
është një shkollë e madhe e themeluar nga Zoti për edukimin e njerëzimit. Familja
është atdheu i zemrës. Por çka është “familja” për të krishterët? Mbi këtë pyetjeje
do të kërkojmë sot një përgjigje, si gjithnjë, duke u nisur, nga Shkrimi i Shenjtë,
Bibla.
Nëse do të kërkonim në Bibël diçka për familjen, duhet të fillonim nga Libri parë
i Zanafillës, ku thuhet se “imazhi” hyjnor i njerëzimit është i lidhur me faktin se
ai është krijuar nga një mashkull e një femër: “Hyji krijoi njeriun në përngjasimin
e vet; e krijoi në përngjasimin e Hyjit; i krijoi mashkull e femër”. Aftësia riprodhuese
e çiftit e bën atë të ngjashëm me fuqinë krijuese të Zotit. Nga ky parim rrjedh rëndësia
e “shtëpisë” (“bajit” në hebraisht), që s’është tjetër veçse familja. Ajo, në konceptimin
patriarkal të atëhershëm, shihte tek burri jo vetëm atë që mban shtëpinë, por edhe
atë që ka të drejtë të urdhërojë gruan e fëmijët. Në të vërtetë, Bibla i jep të drejta
të barabarta burrit e gruas, siç shihet në pjesën e Zanafillës që cituam, por edhe
në Këngën e Këngëve, për shembull.
Themelor, është pastaj, urdhërimi i katërt i Urdhërimeve të Tënzot: “Nderoje babën
tënd e nënën tënde, që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë, që do ta japë Zoti, Hyji
yt” (Dal 20,12). Nderimi nuk ka të bëjë vetëm me prindërit, por edhe me krejt të afërmit
e klanit patriarkal. Prandaj, rebelimi kundër prindërve ndëshkohet rëndë, siç dëshmon
historia tragjike e Asalonit, bir i Davidit (2 Ps 13-19). Njëlloj, dënohet ashpër
çdo atentat kundër unitetit familjar, siç rezulton nga legjislacioni i rreptë biblik
kundër thyrjes së kurorës dhe inçestit. Megjithëse Izraeli i lashtë e njihte të drejtën
e divorcit, urdhërimi i gjashtë e dënon “thyrjen e kurorës”, ndërsa në kapitullin
e dytë të Zanafillës ngrihet në qiell çifti që bëhet “një trup i vetëm” (Zan 2,24),
në një bashkim dashurie e dëshire për të pasur fëmijë.
Praktika e lashtë e poligamisë dalëngadalë do të lihej mënjanë, siç dëshmon Kënga
e Këngëve dhe Beslidhja e Re. Lidhjet e ngushta brenda familjes kthehen kështu, në
simbol, për të përshkruar veprën e Zotit ndaj birit të tij të parëlindur “Izraelit”
(Dal 4,22), siç këndon profeti Ozea (kap. 2 e 11). Solidariteti ndërmjet anëtarëve
të një bashkësie familjare shprehej edhe përmes institucionit të “go’el”-it, apo “shëlbuesit”:
kushëriri më i afërt, në linjën e babait në rastin e birit, duhej të ndihmonte të
afërmin e vet nëse binte në skllavëri ose e gjente ndonjë e keqe tjetër. Për këtë
arsye, vëllai merrte për grua edhe të kunatën, kur kjo mbeste e vejë e pa fëmijë,
për t’i dhënë vëllait të vdekur një fëmijë, që të ruante emrin dhe kujtimin e tij.
Ndërsa në Besëlidhjen e Re, familja përshkruhet përmes “Familjes së Nazaretit”, me
misterin që ruante brenda saj, por edhe me jetën e përditshme, ku kishte probleme
e punë e lodhje. Nga njëra anë, Jezu Krishti këshillon të nderohet familja e të mbahet
gjallë martesa (Mt 19,3-9), por, nga ana tjetër, tregon se thirrja e krishterë mund
të kërkojë edhe një sakrificë familjare për t’iu kushtuar plotësisht mbretërisë së
Hyjit (Mt 10,34-37; Lk 9,59-62). Ai vetë, 12 vjeçar, i tha Marisë e Jozefit në tempull
se kishte një mision tjetër për të kryer, të ndryshëm nga ai në familjen e vet tokësore
(Lk 2,48-50).
Është shën Pali Apostull, ai që na jep kode të shumta morale për sjelljen brenda familjes:
mjafton të lexojmë, për shembull, Letrën drejtuar Efesianëve (5,21-33). Për ta përfunduar
këtë kuadër të vogël të familjes biblike, ju propozojmë fjalët e ëmbla të Psalmit
128: “Lum njeriu që e druan Zotin, që ecën udhëve të Tija! Do të ushqehesh prej punës
së duarve të tua, i lumi ti, mirë do të kalosh! Gruaja jote: vresht plot fruta në
dhomat e shtëpisë sate; djemtë e tu: pinjoj ulliri përreth tryezës sate!”
All the contents on this site are copyrighted ©. |