2015-07-02 13:19:00

Tomasi: Shtetet duhet të krijojnë një front të përbashkët, përndryshe terrorizmi do të marrë dhenë


Përpjekja ndërkombëtare për ta luftuar terrorizmin, duhet të vërë në plan të parë viktimat e jo interesat financiare, politike e ideologjike. Pohimi është i kryeipeshkvit Silvano Maria Tomasi, vëzhgues i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës, në fjalimin mbajtur gjatë punimeve të Sesionit të 29-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, me temë: Pasojat  e terrorizmit mbi jetën  e njerëzve e të shteteve”.

 

I ashtuquajturi Shtet islamik, milicët e Boko Haram. E para tyre, Al Kaeda e duzina emërtimesh, pas të cilave radhiten burra e gra, që kanë në dorë mitroloza e në kokë, qëllimin të ndërtojnë as vetë s’e dinë se çka. Ndërsa   e dinë mirë sesi: duke përhapur frikë e tmerr kudo shkelin e duke lënë pas gjurmë gjaku të pafajshëm.  Imzot Tomasi kujtoi shumë emra e bëri shumë  llogaritje: që nga viti 2000 e deri më sot, para syve të botës është rritur marramendshëm numri i viktimave të sulmeve terroriste, duke arritur në shifrën 500%. Vetëm gjatë vitit 2013, shtoi, 82% e këtyre viktimave u vranë kryesisht në pesë vende: Irak, Afganistan, Pakistan, Nigeri e Siri. Kuadër mizorie  brutale, pa asnjë shpresë në horizont. Madje, pohon me realizëm imzot Tomasi, në horizont duket rreziku i keqësimit të situatës, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk do të gjejë mënyrën të formojë një front të përbashkët, për t’i dhënë fund situatës, në të cilën terroristët veprojnë pa pyetur fare se krimi ka pas ndëshkimin, sepse nuk janë dënuar asnjëherë, ashtu si meritojnë.

Terrorizmi, reflektoi prelati duke  dhënë mendime për temën që po diskutohet në Gjenevë, është bërë për mijëra njerëz një morsë, që i ka dërmuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Terrorizmi, vijoi të pohonte imzot Tomasi, është antiteza e vlerave të përbashkëta dhe e angazhimeve, që përbëjnë bazën e bashkëjetesës kombëtare e ndërkombëtare. Të gjithë tashmë e kanë para sysh globalizimin  e terrorizmit, që mbështetet, ngulmoi prelati, nga “pushtete politike kundështare”, të tunduara për të luajtur rolin e tyre, duke i furnizuar organizatat integraliste me mjete të teknologjisë moderne, me armë e financime të të gjitha natyrave, që kanë, pastaj, pasoja humanitare e shoqërore dramatike.

E kjo, sepse terrorizmi nuk e njeh as do ta njohë dinjitetin e viktimave  e ashpërsia e tij, shpjegoi imzot Tomasi, është një lloj reaksioni zinxhir: si t’i ketë mohuar njeriut të drejtën për jetë, nis t’i shpërdorojë të gjitha të drejtat themelore, duke përfshirë edhe të drejtën për lirinë e besojmës e të kultit, të drejtën e shprehjes e lirinë e ndërgjegjes, të drejtën e arsimit e të drejtën për t’u trajtuar me të njëjtin dinjitet, si çdo qytetar i kombit, pavarësisht nga ndryshimi i fesë, i gjendjes shoqërore dhe ekonomike, i gjuhës e i etnisë.

Atje ku vë këmbë çmenduria e tij shkatrrimtare, vijoi vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, bëhen dëme shoqërore e kulturore të pandreqshme, që do të peshojnë rëndë mbi kurrizin e breznive të sotme e të ardhshme. Duke shkatërruar infrastrukturat e qyteteve e të rajoneve, posaçërisht duke sulmuar ndërtesat qeveritare, shkollat, institucionet fetare, terrorizmi  e rrënon plotësisht shoqërinë. Ndërkaq, shkatërrimi i monumenteve kulturore, të reja e të lashta, nga ana e terroristëve, krijon rrezikun e asgjësimit të vetë historisë së kulturave të popullsive. Një rrënim i tillë, nënvizon akoma imzot Tomasi, krijon truall pjellor për ekstremizmin më të barbar, duke përsëritur, kështu, rrethin vicioz të dhunës e duke i shtuar akte të reja.

Pasi foli për ndikimin e terrorizmit mbi demokracitë, posaçërisht mbi ato, që nuk janë afirmuar akoma, duke përfshirë kushtëzimet mbi shtetet, që nganjëherë e përdorin kërcënimin si “justifikim” për të reduktuar liritë themelore, imzot Tomasi pohoi bindjen e plotë të Selisë së Shenjtë për të cilën terrorizmi, posaçërisht format, që lindin nga ekstremizmi fetar, duhen kundërshtuar me përpjekje të përbashkëta politike, posaçërisht me të gjitha forcat vendase e rajonale të interesuara. E në përfundim prelati theksoi: “Përpjekjet për të arritur bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit duhet t’u japin gjithnjë përparësinë viktimave të terrorizmit. Arsyet financiare, politike a ideologjike, nuk duhet të kenë epërsi mbi afësinë për të arritur në një vizion unitar në luftën kundër plagës së terrorizmit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.