2015-07-01 11:38:00

Kardinali Bozaniç: Evropa t’i ndihmojë emigrantët pa egoizëm e hipokrizi


Përballë përmasave gjithnjë më të gjera të fenomenit të emigracionit dhe emergjencës së refugjatëve, shikojmë një Evropë shpesh të pështjelluar, që duket sikur i mungon kultura e mirëpritjes, ashtu si edhe solidariteti i vërtetë ndërmjet vendeve të ndryshme, që e përbëjnë. Këtë pohoi kardinali Josip Bozaniç, kryeipeshkëv i Zagrebit e kryetar i seksionit të emigracionit pranë Komisionit Ccee (Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës) “Caritas in Veritate”, duke hapur takimin e ipeshkvijve dhe përgjegjësve kombëtarë për baritorinë e emigrantëve në Evropë, që vijon në Vilnius, të Lituanisë, deri të enjten, 2 korrik.

Politika evropiane t’i ndihmojë emigrantët pa egoizëm e pa hipokrizi

Prelati i lartë vërejti: “Nuk mund të pushojmë s’u kujtuari përgjegjësve  e qeveritarëve tanë se i takon politikës të gjejë rrugëzgjidhje, që lehtësojnë strehimin me përgjegjësi të njerëzve, ashtu si i përket  politikës evropiane edhe të angazhohet për të ndihmuar, pa egoizëm e pa hipokrizi, në zgjidhjen e situatave të luftës e të varfërisë, që ndjehen fort pranë portave tona. Për kryeipeshkvin e Zagrebit, “sfida shpirtërore e mirëpritjes së emigrantëve, lidhet me përgjegjësinë që ka secili për ta pranuar e për ta mirëpritur, atë që vjen. E vetëm kush nuk e ka humbur kuptimin e vlerës së pakufishme të njeriut, që ka para vetes, është i aftë për gjeste mikpritjeje”.

Mirëpritja, e detyrueshme, sepse ai që pret, është njeri

Për imzot Bozaniç, në një botë ku individualizmi synon ta mbyllë secilin në bunkerin e vet, mirëpritja është e detyrueshme, sepse nuk mirëpret probleme, por njerëz, që sjellin me vete vlera e dinjitet të pacënueshëm. Kështu mirëpritja nuk mund të jetë kurrë temë e debatuar në mënyrë ideologjike, por para së gjithash, duhet të jetë sjellje ekzistenciale e jetuar si nga individi, ashtu edhe nga bashkësia. Për kryeipeshkvin e Zagrebit, ish-zëvendës-kryetar i Ccee (2001-2011) mirëpritje do të thotë edhe reciprocitet, sepse nuk është fjala vetëm për t’i ofruar diçka ndokujt, që kalon kohë të vështira, por edhe për t’i krijuar hapësirë takimi.

Mirëpritje do të thotë edhe integrim

Mirëpritja është takim, nga i cili lindin marrëdhënie të reja. Prej këndej, nevoja, nënvizon imzot Bozaniç, e edukimit për ta mirëpritur tjetrin edhe nga ana e bashkësive të krishtera, sepse mirëpritje do të thotë edhe përfshirje në radhët e shoqërisë, gjë që shpreh dëshirën për t’i krijuar stabilitet atij që vjen.

 Por për të integruar, kujton kardinali, duhet durim e dashuri. Në këtë kuptim, përfundon ipeshkvi Bozaniç, sfida e mirëpritjes nuk është vetëm për atë, që vjen si i huaj në viset tona, por u drejtohet edhe të gjithë atyre, që janë të thirrur të mirëpresin, të cilët duhen kuptuar e përqafuar me të njëjtin durim e dashuri, për t’i nxitur t’ua hapin zemrat atyre, që vijnë nga larg.

Në takimin, organizuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Ccee) marrin pjesë 40 delegatë, nga 21 konferenca ipeshkvnore në Evropë.








All the contents on this site are copyrighted ©.