2015-06-30 14:26:00

Toka Shenjte: sigla xhihadiste kërcënon të krishterët e Jeruzalemit


Disa trakte, ngarkuar me kërcënime kundër të krishterëve të Jeruzalemit, të nënshkruara nga një organizatë deri tani e panjohur, që vetëquhet “Shteti islamik në Palestinë”, me qëllim që të vërë mirë në dukje lidhjen e tij me Shtetin Islamik, u shpërndanë të enjten e kaluar në disa lagje arabe në pjesën lindore të Qytetit Shenjt. Sipas mediave izraelite, njofton agjencia Fides, në traktet - mbi të cilat duket edhe logoja e Shtetit të vetëshpallur Islamik- të krishterët e Jeruzalemit kërcënohen me vdekje, nëse nuk do të largohen nga qyteti para datës 18 korrik, ditë në të cilën do të kremtohet festa e Eid al Fitr, apo e Bajramit, në përfundim të muajit të Ramazanit. Në mesazh, ku nuk mungojnë as kërcënimet kundër Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, të krishterët quhen “spiunë të Izraelit”.

Reagimi i Kishave të Jeruzalemit

Mesazhi kërcënues i trakteve shkaktoi menjëherë reagimin e Imzot Michel Sabbah, patrik nderi i Jeruzalemit të latinëve si dhe të kryepeshkopit Theodosis di Sebastia, të patriarkanës greko-ortodokse të Jeruzalemit. “Nuk dihet kush i shpërndau traktet” deklaron për agjencinë Fides, atë Raed Abusahliah, drejtor i përgjithshëm i Karitasit të Jeruzalemit, e as nuk  ndjejmë ndonjë farë presioni nga ana e këtyre grupeve të djemnuara. Por natyrisht që ngjarja nuk mund të mos ngjallë shqetësim në një pjesë të të krishterëve. Disa prej tyre pyesin: “Si është e mundur që këta të çmendur arritën deri këtu!”.

Edhe myslimanët i dënojnë kërcënimet xhihadiste

Atë Raed njofton se myslimanët reaguan para të krishterëve. Shumë prijës myslimanë i dënuan haptazi kërcënimet e trakteve e pohuan se do të jenë të parët, që do t’i mbrojnë vëllezërit e tyre të krishterë, nëse u ndodh ndonjë gjë shqetësuese.

Ndërsa pjesa më madhe e të krishterëve pohuan se nuk do ta lëshojnë kurrë Tokën e Krishtit, ku lindën, pavarësisht nga këto kërcënime e edhe nga të tjera, që mund të vijnë më pas. Drejtori i Karitasit njofton edhe se këto grupe mund të jenë mbështetur për të depërtuar në Tokën Shenjte nga forca, që veprojnë në hije, siç e vërtetojnë edhe ngjarjet në Irak e Siri, ose ose, duan të theksojnë se të krishterët janë të ligshtë e kanë nevojë për ndonjë formë “mbrojtjeje”, natyrisht jo pa interes.








All the contents on this site are copyrighted ©.