2015-06-29 14:04:00

Fishekzjarre nga Castel Sant’ Angelo, në ndihmë të të krishterëve të persekutuar të Lindjes së Mesme


Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti edhe organizatorët e shfaqjes tradicionale piroteknike, që do të jepet sonte, në orën 20.30, në Castel Sant’Angelo. Të hollat që do të mblidhen, kujtoi, do të mbështesin nismën bamirëse në Tokën Shnejte dhe në viset e Lindjes së Mesme.  

Pikërisht nësa ne transmetojmë, nga bedenat e Kështjellës së Shën Engjëllit, kundruall dritareve të programit tonë, në qendër të Romës së krishterë, do të  fluturojnë drejt qiellit fishekzjarre e tinguj muzikorë, në festën e tingujve e të dritave. Është festa e Shën Pjetrit e Shën Palit, Pajtorë të Romës, që i kremton për vit edhe me një festë fishekzjarresh, sivjet për herë të tetë. Shfaqja, e organizuar së pari sipas idesë së Mikelanxhelos, përsëritur, pastaj nga Bernini, u dha së pari në vitin 1481, për nder të papnisë së Sikstit IV. U përsërit disa herë, derisa u shuan artistët, gjenialë edhe në lojën piroteknike. Me ta, u shuan edhe fishekzjarret mbi kështjellën shumëshekullore.  

Kaluan shekuj, para se drita e tinguj të riktheheshin mbi bedenat e Kështjellës, për t’u soditur nga mijëra banorë të Romës, në festë. Rifilluan vetëm në vititn 2008. Sivjet festa ka edhe qëllim solidar: mbështetjen e fretërve françeskanë të Rojtarisë së Tokës Shenjte dhe të bashkësive të krishtera të Lindjes së Mesme. Rrotullat e zjarrta, që shtillen  drejt qiellit blu romak, duke pikturuar figura fantastike, rrëmbenjëse në bukurinë e tyre, do të shoqërohen edhe me tinguj muzikorë, që do ta bëjnë të pashembullt shfaqjen piroteknike, duke u krijuar shikuesve mundësinë të lidhen me radio e smartphone me Radio Vatikanin për të dëgjuar simfonitë. U shkruan enkas për të shoqëruar fluturimin e fishkezjarreve ngjyryleberi, që lëshojnë dritë-hije misterioze, në muzgun e artë romak, mbi konturet e Kështjellës së lashtë, tejet të pasur me histori. Nuk munden, prandaj, të mos e ngacmojnë fantazinë e shikuesit. Girandola pasurohet sivjet edhe me ekspozitën fotografike, që mban emrin e saj.

Është aq e bukur kjo shfaqje dritash e tingujsh, sa të quhet “Mrekullia e kohës”. Pati mahnitur, në rrjedhë shekujsh, shumë shkrimtarë të mëdhenj, që patën fatin ta sodisin. Ndërmjet tyre, Dikensi, që e përshkroi në veprat e tij të famshme; e poeti romak Gioacchino Belli, që i kushtoi tingëllimat e tij. Pa kujtuar këtu piktorët, të cilët e përjetësuan në pëlhurë e muzikantët, që e treguan me tinguj. 








All the contents on this site are copyrighted ©.