2015-06-28 16:02:00

Kardinali Erdö: kujdes baritor nuk do të thotë pranim i martesave gay


“Dokument, që pasqyron në mënyrë të besueshme perceptimin dhe pritjet e mbarë Kishës mbi temën vendimtare të familjes”. Kështu u shpreh kardinali Lorenzo Baldisseri, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve, në konferencën e shtypit, organizuar të martën e kaluar, për paraqitjen e Instrumentum Laboris të Asamblesë së ardhshme sinodale kushtuar familjes, në tetor.

Takimi u mbajt në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë,  që mban emrin e Gjon Palit II. Iu kushtua krejtësisht Instrumentum Laboris, apo planit të punës, që do të ndiqet gjatë Sinodit të ardhshëm e që u përgjigjet katërcipërisht kërkesave me kah të ndryshëm kulturor e gjeografik botëror.

Një simfoni zërash, theksoi kardinali Baldisseri, që shprehin përvojën kishtare, të pranishme në mbarë planetin. U nënvizua edhe një herë qendërsia e familjes në ndërtimin e shoqërisë, thirrja e saj për vazdimësinë e  jetës e për veprimtari misionare lidhur me transmetimin e fesë.

Jo martesave gay, po shoqërimit

Një nga temat më delikate, që u prek nga gazetarët, ishte ajo e kujdesit baritor për familjet, në të cilat jetojnë njerëz me prirje homoseksuale. Kardinali Erdő u përgjigj:

“Kujdesi baritor dhe njohja e martesave gay, janë dy gjëra të ndryshme. E  kjo pasqyrohet edhe në dokumentet përfundimtare të asamblesë së kaluar sinodale. Ndër to, lidhur me këtë çështje, ka një fragment, që citon të gjitha dokumentet e mëparshme të Kishës katolike. Prej këndej, edhe në këtë drejtim Instrumentum Laboris përdor shprehjen “kujdes a vëmendje baritore”, jo njohje a pranim.

Këtë qëndrim mbajti edhe imzot Bruno Forte, kryeipeshkëv i Chieti-Vasto-s, sekretar i posaçëm i Asamblesë XIV të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit:

“Është një parim, nga i cili nuk mund të hiqet dorë, sepse bën pjesë në Doktrinën e Kishës: me fjalën martesë kuptojmë bashkëjetesën e një burri me një grua, që i hap rrugën krijimit të jetës së re. Por kjo s’do të thotë aspak se unë nuk mund ta respektoj e ta pranoj një homoseksual: janë dy gjëra të ndryshme. Këtë e gjejmë edhe në Kushtetutën italiane në nenin 29, paragrafi 1: “Familja është bashkim i një burri me një grua, me prirje për lindjen e fëmijëve”. Kemi përpara një realitet, që është familja, e një sfidë baritore, që është edhe vlerë; duhet të punojmë prandaj, që askush të mos ndjehet i refuzuar, i gjykuar, i përjashtuar por, mundësisht, i shoqëruar e i pranuar plotësisht në shoqëri.

Të divocuarit e rimartuar

Një pikë tjetër, që u shqyrtua, ishte ajo e sfidës baritore ndaj bashkëshortëve të divorcuar e të rimartuar. Në këto raste flitet për kujdes e për shoqërim, në mënyrë që të mund të realizohet integrimi baritor lidhur ngushtë me aftësinë për ta dalluar të mirën nga e keqja, domethënë me vetëdijen për gjendjen që krijohet në këto raste.

Përsëri imzot Bruno Forte:

“Kur flasim për përgjegjësi të ndërgjegjes, kemi parasysh se ndërgjegjja e njeriut duhet të jetë e formuar. Nuk mund ta shikojë si gjë të mirë, vetëm atë, që i pëlqen e që e kënaq; duhet të shikojë edhe vlerën. Më duket se ky është proces i hapur, që duhet shqyrtuar bashkërisht.

Çështja nuk duhet thjeshtuar, siç është bërë deri tani, me shprehjen: do t’u jepet apo jo kungimi të divorcuarve të rimartuar? Çështja është si të ndihmohen njerëzit ta ndjenë veten pjesë e gjallë, protagonistë të jetës kishtare.

Punimet e Sinodit

Duke folur për mënyrat e ballafaqimit në Sinod, kardinali Baldisseri nënvizoi se  nuk do të ketë seri të gjata diskutimesh individuale e se do të vlerësohen më shumë Rrethet e vogla. Do të ketë edhe një dokument përfundimtar, që do t’i dorëzohet Atit të  Shenjtë.

Informacioni

Lidhur me informacionin gjatë punimeve, prelati i lartë theksoi: “Ati i Shenjtë shpesh ka kujtuar se Sinodi është hapësirë, në të cilën mund të veprojë Shpirti Shenjt, nuk është parlament”. Etërit sinodalë ftohen të shprehen me parresi. Janë të lirë të komunikojnë me mediat, duke marrë mbi vete edhe përgjegjësinë e komunikimit. Salla e Shtypit do ta shoqërojë, si zakonisht, informacionin e Sinodit.








All the contents on this site are copyrighted ©.