2015-06-28 13:23:00

Françesku në Engjëllin e Tënzot: feja është forcë jete, që çliron e shëlbon


“Feja është forcë jete, që çliron e shëlbon, në çdo situatë!”. E kujtoi sot Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në praninë e mijëra shtegtarëve e turistëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit ku, në orët e mesditës, vërshuan edhe pjesëmarrësit në marshimin “Një tokë. Një familje njerëzore”, e, menjëherë pas tyre, edhe grupi shumëngjyrësh i besimtarëve bolivianë, veshur me  kostume kombëtare, i nisur me procesion nga Bazilika e Mëshirës Hyjnore, duke mbartur pesë figure të Zojës së Bekuar, ardhur nga vendi i tyre, për të shprehur, kështu, kënaqësinë për vizitën e afërt të Papës në vendin e tyre.

Dy episode të Ungjillit të së dielës ishin në bazën e reflektimit të sotëm të Papës; së pari, ringjallja e një vajze 12 vjeçe, vdekur pas një sëmundjeje të rëndë, të cilën e shpëtoi feja e patundur e babait të saj, që i qe lutur Jezusit, me besim të plotë se Ai mund të bënte gjithçka, edhe ta rikthente të vdekurin në jetë:

“Këtu shihet qartë pushteti absolut i Jezusit mbi vdekjen fizike, që për Të, është si gjumë, nga i cili edhe mund të rizgjohesh”.

E akoma, shërimi i një gruaje, që vuante prej 12 vjetësh nga humbje gjaku, që shikohej si e papastër e që ishte dënuar t’i shmangej çdo takimi me njerëzit. E pikërisht kjo grua, e cila mund të themi se ishte e dënuar me vdekje civile, merr guximin t’i prekë petkat e Jezusit, e bindur se do të mjaftonte një çikje, për t’u shëruar. E kështu edhe ndodh:

“Kush beson, ‘e prek Jezusin’ e nxjerr prej Tij Hirin, që shpëton” .

Shërim e ringjallje, që kanë një qendër të vetme: fenë:

“Mesazhi është i qartë, e mund të përmblidhet në një pyetje: a besojmë se Jezusi mund të na shërojë e mund të na rizgjojë nga gjumi i vdekjes? I tërë Ungjilli u shkrua nën dritën e kësaj feje: Jezusi u ngjall, fitoi mbi vdekjen e pikërisht përmes kësaj fitoreje, edhe ne do të ringjallemi”.

Ngjallja e Krishtit vepron në histori si fillesë e përtëritjes dhe e shpresës:

“Kushdo që është i dëshpëruar e i lodhur për vdekje, po t’ia besojë veten Jezusit e dashurisë së Tij, mund të rifillojë të jetojë. Feja është forcë jete, e përkryen natyrën tonë njerëzore; e kush beson në Jezu Krishtin, duhet të njihet nga të gjithë, sepse mbron jetën në çdo situatë,  në mënyrë që të gjithë, posaçërisht më të ligshtit,  ta provojnë  dashurinë e Zotit, që çliron e shëlbon”.

Së fundi, lutja:

“T’i kërkojmë Zotit, me ndërmjetësinë e Virgjërës Mari, dhuratën e një feje të fortë e të guximshme, që të na nxisë të jemi përhapës të shpresës e të jetës ndërmjet vëllezërve tanë”.

Pas lutjes mariane, Papa u drejtoi përshëndetjet romakëve shtegtarë në Sheshin e Shën Pjetrit, posaçërisht pjesëmarrësve në Marshimin për shpëtimin e planetit, veprimtarëve të Focsiv dhe besimtarëve bolivianë, me figuret më të famshme të Zojës,  ardhur sot nga viset e tyre, në Sheshin e Shën Pjetrit:

“Que nuestra Madre del ciele los proteja”.

Përshëndetje të posaçme edhe “Gjyshave të Sydney-t”, shoqatë e të moshuarve emigrantë në Australi, me nipërit e tyre, familjeve italiane, që mikpresin fëmijët nga Chernobyl-i dhe një grupi motoçiklistash e amatorësh të autove historike, që manifestuan në Shesh e në Rrugën e Pajtimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.