Papa Françesku krijoi, me një Motu Proprio (me nismën e tij), një dikaster të ri të Kuries Romake: është Sekretaria për Komunikimet Shoqërore, organizëm në të cilin, pohon, do të shkrihen, në kohët e caktuara, Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Shërbimi vatikanas i Internetit, Radio Vatikani, Qendra Televizive e Vatikanit, Osservatore Romano, Shërbimi fotografik, Shtypshkronja dhe Shtëpia Botuese e Vatikanit. Prefekt i Sekretarisë së re për Komunikimet, do të jetë imzot Dario Edoardo Viganò, drejtor i Qendrës Televizive të Vatikanit.
Ripërtritje e riorganizim, në kuptimin e integrimit të mediave të Vatikanit, sepse rrethanat aktuale komunikative, të karakterizuara nga prania dhe nga zhvillimi i mediave dixhitale, nga faktorë të konvergjencës dhe të ndërveprimtarive, kërkojnë edhe të rimendohet sistemi informativ i Selisë së Shenjtë. Kështu shkruan Françesku në fillim të Motu Proprio-s së tij, duke shpjeguar arsyet e reformës së seksioneve mediatike.
Drejtim unitar
Motu Proprio flet edhe për punën e projektimit të reformës, që nisi një vit më parë dhe u përfundua nga Komisioni i mediave vatikanase më 30 prillin e kaluar. Papa dëshiron që ky riorganizim “duke vlerësuar arritjet e deritanishme në historinë e komunikimeve vatikanase”, të vijojë rrugën për realizimin e integrimit dhe të drejtimit unitar. Me “Sekretarinë e re për Komunikimet, përfundon Papa, sistemi komunikativ i Selisë së Shenjtë do t’u përgjigjet gjithnjë më mirë kërkesave të misionit të Kishës”.
Drejtuesit
Për ta drejtuar strukturën e re, Papa thirri imzot Dario Edoardo Viganò, drejtor i Ctv, i mbështetur nga sekretari, imzot Lucio Adrian Ruiz, kryetar zyre pranë Shërbimit të Internetit vatikanas. Drejtor i përgjithshëm do të jetë Paolo Nusiner, drejtor i përgjithshëm i gazetës italiane “Avvenire”, ndërsa zëvendës-drejtor, Giacomo Ghisani, përgjegjës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe çështjet legale të Radio Vatikanit si dhe Anëtar i Këshillit të Administratës së Ctv-së.
Integrim gradual
Duke hyrë më në hollësi, kujtojmë nenin e parë, që shënon se “në kohët e caktuara” të gjitha mediat vatikanase, që kujtuam më lart, me hyrjen në fuqi të Motu Proprio, do të vijojnë, sipas nenit 2, veprimtaritë e tyre përkatëse, duke pritur, ndërkaq, udhëzimet që do të japë Sekretaria për Komunikimin. Neni 3 pohon se dikasteri i ri, në marrëveshje me Sekretarinë e Shtetit, do të marrë mbi vete faqen institucionale të internetit të Selisë së Shenjtë “vatican.va” dhe shërbimin Twiter të Papës, “@pontifex”.
Neni i fundit, duke e caktuar për 29 qershor 2015 fillimin e funksioneve të Sekretarisë së Komunikimit, sqaron edhe se selia e tij e përkohshme, do të jetë Pallati Pio, ku ndodhen redaksitë dhe zyrat e Radio Vatikanit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |