2015-06-26 15:49:00

Takimi botëror i familjeve. Kryebashkiaku Nutter: jemi gati


Vlojnë përgatitjet për takimin botëror të familjeve, që do të mbahet më 22 shtatorin e ardhshëm. Tri ditë lutjesh, ballafaqimesh, takimesh e diskutimesh. Pastaj, takimi me Papën, më 26 e 27. Priten rreth 1 milionë e gjysëm vizitorë, ardhur nga më se 150 vende të ndryshme të botës. Në këtë atmosferë përgatitjeje, në Romë u mbajt takimi i organizatorëve të ngjarjes së madhe me shtypin. Ndërmjet tyre nuk mund të mungonte kryebashkiaku i qytetit organizator, Michael Nutter: E intervistuam:

Përgjigje: - Para së gjithash dua të them se është nder i madh të mikpresësh Takimin botëror të familjeve si dhe Festivalin e familjeve  e,  sidomos, vizitën e Papës Françesku. Filadelfia është qytet i madh, për ngjarje të mëdha, që ndodhin në SHBA. Është vërtet qytet global, për ngjarje globale. E Takimi botëror i familjeve është pikërisht i tillë. Po bashkëpunojmë që prej një viti me Vatikanin e me Këshillin Papnor për Familjen, për ta organizuar sa më mirë që është e mundur këtë takim e, sidomos, vizitën e Papës Françesku.

Pyetje: - Cilat janë parashikimet tuaja?

Përgjigje: - Mendojmë të mikpresim më se një milion njerëz, ndoshta një milion e gjysëm, që do të vijnë në Filadelfia e do të priten nga popullsia vendase.

Pyetje: - Ku do të zhvillohet ngjarja kryesore e si vijon puna organizative?

Përgjigje: - Përsa i përket Takimit të familjeve, do të mbahet kryesisht në  Pennsylvania Convention Centre, por do të ketë, pastaj, edhe ngjarje të tjera të mëdha publike, në të cilat do të marrë pjesë edhe Papa Françesku. Gjithë ç’ka të bëjë me organizimin, koordinimin e veprimtarive të mikpritjes, strehimin, sigurinë, transportet, vijon me shumë sukses. Presim me gëzim – e jemi gati! 








All the contents on this site are copyrighted ©.