2015-06-26 17:56:00

Imzot Pjetër Bogdani: figura dhe vepra, në një simpozium në Zym të Prizrenit


“PJETËR BOGDANI - KOLOS I KULTURËS KOMBËTARE SHQIPTARE”. Mbi këtë temë, zhvillohet nesër, e shtunë 27 qershor, në ora 10.00 pranë Muzeut të fshatit Zym të Hasit, në rreth të Prizrenit, simpoziumi shkencor organizuar nga shoqata jo qeveritare e shkrimtarëve e fshatit Zym.  

Ipeshkvi i madh shqiptar imzot Pjetër Bogdani vlerësohet si teologu më i njohur shqiptar e si një ndër figurat më të ndritura të letërsisë së vjetër shqipe. Ipeshkvi imzot Pjetër Bogdani u shqua jo vetëm si meshtar e ipeshkëv i jashtëzakonshëm, si bari shpirtëror guximtar, por edhe si atdhetar largpamës, si dijetar e letrat që dha një kontribut të çmueshëm. E tërë jeta dhe veprimtaria e imzot Pjetër Bogdanit qe një përpjekje për çlirimin e popullit shqiptar dhe të vendit nga zgjedha e rëndës dhe e errët osmane, e këtë ai u mundua ta bënte edhe përmes zhvillimit e çuarjes përpara të kulturës së shqiptarëve.

Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme kishtare, pra ungjillëzuese, atdhetare e politike 40 vjeçare, sidomos me rolin që luajti si formues i zgjues i ndërgjegjes së shqiptarëve, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me kryeveprën e tij teologjike “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të atë Justin Rrotës “Çeta e profetëve", ipeshkvi shqiptar, imzot Pjetër Bogdani, konsiderohet si kultivues e formues i ndërgjegjes shqiptare, pararendës i hershëm i lëvizjes së rilindjes kombëtare të shqiptarëve.

Në Simpoziumin kulturor kushtuar Imzot Pjetër Bodanit, që mbahet nesër në Zym të Hasit, afër Prizrenit, pritet të marrin pjesë një numër i mirë i studiuesve e njohësve të figurës së ipeshkvit, teologut, shkrimtarit e atdhetarit të madh, imzot Pjetër Bogdanit. Ndër ta përmenden Prof. dr. Mahmud Hysa, Prof. Anton Berishaj, Prend Buzhala, Ramadan Musliu, Ndue Ukaj, Fahri Xharra, Dr. Gjon Berisha, Lazër Stani, Dr. Don Nikë Ukgjini, Dr. Besim Muhadri, Atë Nue Kajtazi, Don Ndue Ballabani, Frrok Kristaj, Migena Arllati, Nikollë Kërhanaj, e shumë të tjerë. Më hollësisht mbi synimet e këtij simpoziumi, të dëgjojmë në mikrofonin e Radio Vatikanit, njërin prej organizatorëve, publicistin e shkrimtarin Frrok Kristaj...

 








All the contents on this site are copyrighted ©.