2015-06-26 12:33:00

Françesku: Kisha është bashkësi, nëse u afrohet të fundmëve


Të krishterët duhet t’u afrohen e t’u zgjasin dorën atyre, që shoqëria ka prirjen t’i përjashtojë, ashtu si bëri Jezusi me të përjashtuarit e kohës së Tij. Pikërisht kjo e bën Kishën bashkësi të vërtetë. E pohoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

I pari, që shpërvoli mëngët e ndoti duart, ishte Jezusi. Duke iu afruar të përjashtuarve të kohës së Tij. I ndoti duart, duke prekur të gëbulurit, për shembull, e duke i shëruar. E duke i mësuar, kështu, Kishës, se nuk mund ta bëjë bashkësinë, pa afërsi. Papa Françesku e përqendroi homelinë mbi protagonistin e fragmentit të shkurtër ungjillor, një i sëmurë nga gërbula, që i jep vetes, arrin tek Jezusi, përkulet para Tij e i thotë: “Zot, po të duash, Ti mund të më pastrosh”. E Jezusi e prek dhe e shëron.

Nuk mund të bësh mirë nga larg

Mrekullia, shtoi Papa, bëhet para syve të doktorëve të ligjit, për të cilët i gërbuluri ishte “i papastër”. Gërbulë asokohe do të thoshte dënim me vdekje e të shëroje të gërbulurin ishte si të ngjallje të vdekurin. Prej këndej, këta njerëz përjashtoheshin nga radhët e shoqërisë. Por Jezusi nuk rri larg tyre: ia zgjat dorën të përjashtuarit, e dora e tij shëron, duke dëshmuar vlerën themelore të një fjale: “afërsi”:

“Nuk mund të bëhet bashkësi, pa afërsi. Nuk mund të bëhet paqe, pa afërsi. Nuk mund të ndihmosh, pa u afruar. Jezusi mund të thoshte fare mirë vetëm një fjalë “Shëroju!”.  Jo. Nuk e tha. Por iu afrua dhe e preku. E për më tepër,  në çastin që e preku, njeriu i papastër, u pastrua. E ky është misteri i Jezusit: merr mbi vete ndyrësitë tona, papastërtitë tona. Pali e thotë mirë: ‘Edhe pse me natyrë Hyj, nuk e çmoi këtë  natyrë hyjnore si visar, nga i cili nuk mund të hiqte dorë, por ia mohoi vetvetes, mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz’. E pastaj Pali shkon edhe më tej: ‘U bë mëkat. Jezusi u bë mëkat. Jezusi e përjashtoi vetveten, mori mbi vete papastërtitë tona, për të na u afruar’”.

Jezusi pranon, nuk përjashton

Në fragmentin e Ungjillit flitet edhe për ftesën, që Jezusi i bën të gërbulurit të shëruar: “Shiko mirë e mos ia trego askujt këtë që të ndodhi; por mos harro të shkosh te prifti për të paraqitur dhantinë e caktuar nga Moisiu si dëshmi për ta”. Kjo sepse, nënvizoi Françesku, për Jezusin, përveç afërsisë, ka shumë rëndësi edhe përfshirja:

“Shpesh herë mendoj se është, nuk po them e pamundur, po shumë e vështirë, të bësh mirë, pa ndotur duart. E Jezusi i ndoti. Iu afrua. E pastaj  e çoi te prifti, për të bërë atë që duhet të bënte një i gërbulur kur shërohej. Atë, që ishte i përjashtuar nga jeta shoqërore, Jezusi e  pranon: e pranon në Kishë, e përfshin në shoqëri… ‘Shko, që të gjitha gjërat të jenë, ashtu si duhet të jenë’. Jezusi nuk përjashton kurrë, askënd. Përjashton vetveten, për t’i përfshirë të papranuarit, ne, mëkatarët, të përjashtuarit, me jetën e vet”.

Afërsi e dorë e zgjatur

Françesku vuri në dukje habinë, që shkakton Jezusi me pohimet e Tij e me fjalët e Tij: “Sa njerëz, vijoi Papa, e ndoqën Jezusin në ato çaste vijojnë ta ndjekin në shtigjet e historisë, pse mrekullohen nga mënyra sesi flet:

“E sa njerëz e shikojnë nga larg e nuk e kuptojnë, nuk u intereson… Sa njerëz e shikojnë nga larg, por me zemër të keqe, për ta vënë Jezusin në provë, për ta sharë, për ta dënuar…. E sa e sa të tjerë  e shikojnë nga larg, sepse nuk e kanë guximin, që pati Ai, edhe pse kanë shumë dëshirë të afrohen! E, në këtë rast, Jezusi ua zgjat dorën i pari. Ua zgjati e ua zgjat dorën të gjithëve, duke u bërë një nga ne, si ne: mëkatar si ne, ndonëse pa mëkat, por i ndotur nga mëkatet tona. E kjo është afërsia e krishterë”.

Fjalë e bukur kjo, afërsi, përfundoi Françesku, duke i ftuar të gjithë të bëjnë rrëmimin e ndërgjegjes: “A di të afrohem? A  e kam guximin, forcën për t’i prekur të përjashtuarit?”. Pyetje, kujtoi Papa, që ka të bëjë edhe me Kishën, me famullitë, me bashkësitë, me kushtuarit, ipeshkvijtë, priftërijtë, me të gjithë!








All the contents on this site are copyrighted ©.