2015-06-25 14:32:00

Papa, meshtarëve: mos flisni shumë, dëgjoni shumë


Njerëzit e kuptojnë kur meshtari ka atë autoritet, që i vjen nga koherenca e jetës. Në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, Papa Françesku foli për dallimin ndërmjet predikatarëve të vërtetë të Ungjillit dhe “pseudoprofetëve”. Mori si shembull Nënë Terezën, për të nënvizuar si duhet të jenë njerëzit, që bëjnë vepra, duke dëgjuar Fjalën e Zotit e jo duke vendosur ç’duan vetë.

Flas, bëj, dëgjoj

         Populli e ndjek i habitur Jezusin, sepse Ai i thotë gjërat me autoritet e jo si skribët. Nga kjo pjesë ungjillore mori shkas Ati i Shenjtë, për të nënvizuar se njerëzit e kuptojnë më së miri këtë edhe sot. Jezusi i paralajmëron dishepujt e vet të kenë kujdes nga profetët e rremë. Papa e shpjegoi dallimin ndërmjet predikatarëve të vërtetë e “pseudoprofetëve”, duke u nisur nga tri fjalë: “flas, bëj e dëgjoj”. Kujtoi fillimisht çastin kur Jezusi pohon se jo kushdo që thotë “o Zot, o Zot”, do të hyjë në Mbretërinë e Qiellit:

         “Këta flasin, bëjnë, por iu mungon një qëndrim tjetër, që është baza, është themeli i së folurës e i veprimit: iu mungon dëgjimi. Prandaj, Jezusi vazhdon: ‘Kush i dëgjon këto fjalët e mia dhe i vë në jetë’… pra, binomi flas-bëj nuk mjafton, na gënjen shpeshherë. E Jezusi e ndryshon e thotë se binomi është një tjetër: dëgjoj e bëj, pra, vë në praktikë. ‘Kushdo që i dëgjon dhe i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të mençur, që e ka ndërtuar shtëpinë në shkëmb’”.

Kujdes nga pseudoprofetët

         Ndërsa, vijoi Papa, ai që i dëgjon fjalët, por nga njëri vesh i hyjnë e nga tjetri i dalin, e ndërton shtëpinë mbi rërë. Dhe e dimë mirë se ç’fund i takon asaj shtëpie:

         “Kur Jezusi i paralajmëron njerëzit të kenë kujdes nga pseudoprofetët, thotë: ‘Do t’i njihni nga frytet e tyre’. E ja sjellja e tyre: lumë fjalësh, flasin, bëjnë mrekulli, bëjnë gjëra të mëdha, por nuk e kanë zemrën e hapur për të dëgjuar Fjalën e Zotit, kanë frikë nga heshtja e Fjalës së Zotit e këta janë ‘pseudokristianët’, ‘pseudomeshtarët’. Është e vërtetë se bëjnë gjëra të mira, por u mungon shkëmbi”.

Meshtarët e sotëm flasin shumë e dëgjonë pak

         U mungon shkëmbi i dashurisë së Zotit e i Fjalës së Hyjit. E pa të, nënvizoi Papa Françesku, nuk mund të profetizojnë, nuk mund të ndërtojnë asgjë: bëjnë gjoja sikur ndërtojnë, pasi çdo gjë shembet më vonë. Nuk janë barinj të vërtetë të grigjës, që u është besuar. Janë barinj, ose të krishterë, që flasin shumë, kanë frikë nga heshtja e ndoshta bëjnë pak si tepër, por nuk janë në gjendje të dëgjojnë, nuk dinë të bëjnë ç’u kërkon Zoti, por vendosin vetë:

         “T’i kujtojmë këto tri fjalë, janë shenja: bëj, dëgjoj, flas. Ai, që vetëm flet e bën, nuk është profet i vërtetë, nuk është i krishterë i vërtetë e në fund të fundit, çdo gjë i shembet, sepse nuk mbështetet në shkëmbin e dashurisë së Zotit, nuk është i patundur si shkëmbi. Ai, që di të dëgjojë e pasi dëgjon, vepron me forcën e Fjalës së një Tjetri, jo të vetën, ai nuk tundet. Pavarësisht se mund të duket i përvujtë, i parëndësishëm, por sa të këtillë janë të mëdhenj në Kishë! Sa ipeshkvij të mëdhenj, sa meshtarë të mëdhenj, sa besimtarë të mëdhenj, që dinë të dëgjojnë e pasi dëgjojnë, veprojnë!”.

         E këtu, Papa Françesku mori si shembull të Lumen shqiptare të bamirësisë, Nënë Terezën. Ajo, theksoi Ati i Shenjtë, nuk fliste shumë e në heshtje diti të dëgjonte, prandaj bëri aq shumë. E nuk u shemb as ajo e as vepra e saj. Këta janë të mëdhenjtë, që dinë të dëgjojnë e nga ky dëgjim dalin veprat, sepse besimi e forca e tyre e kanë bazën në shkëmbin e dashurisë së Jezu Krishtit. Në fund, urimi e lutja që brishtësia e Jezusit, i cili nga i fortë u bë i brishtë për të na bërë ne të fortë, t’u mësojë të gjithëve të dëgjojnë e pastaj të veprojnë, duke pasur parasysh çfarë dëgjuan e jo fjalët e veta.








All the contents on this site are copyrighted ©.