Mase 3 mijë njerëz nga mbarë bota e nga çdo shtresë shoqërore morën pjesë dje në
funeralin e Motrës Nirmala Joshi, Eprores së parë të Përgjithshme të Motrave Misionare
të Dashurisë, pas së Lumes Nënë Terezë. Vdekja e rregulltare, më 23 qershorin e kaluar
– njofton agjencia AsiaNews – mblodhi në shtëpinë amë të Motrave të Nënë Terezës në
Kalkutë politikanë e liderë fetarë, funksionarë të qeverisë e “më të varfrit ndër
varfër”, të cilët ishin dhe janë në qendër të misionit e të shërbimit të Motrave të
së Lumes Nënë Terezë, e edhe të motrës Joshi. Ceremoninë e kremtimit të salikimeve
e kryesoi kardinali Telesphore Toppo, kryeipeshkëv i Ranchi (Jharkjand), së bashku
me kryeipeshkvin e Kalkutës, izmot Albert D’Souza, e imzot Salvatore Lobo, ipeshkëv
i Baruipur. Kremtimi i Meshës së dritës, që zgjati dy orë, u shoqërua nga lutje e
himne, të kënduara nga Misionaret e Dashurisë.
83 vjeçari B. Collins, shoqëruar nga një motër rregulltare e Misionareve të Dashurisë
për t’i dhënë përshëndetjen e fundit motrës Nirmala, tregon me buzëqeshje në fytyrë:
“Ishte gjithmonë një ndihmë e madhe dhe plot buzëqeshje. Si mund të qaj? Ka jetuar
një jetë të plotë e ka bërë pjesën e vet të mirë në dobi dhe për mirën e njerëzimit”.
Burri i moshuar është nën kujdesin plot dashuri të motrave në shtëpinë e parë ‘Nirmal
Hriday’ të themeluar nga Nënë Tereza për të sëmurë e të braktisur, për ata që gjenden
në pragun e vdekjes. Dëshiron të vendos një kurorë me lule. “Motër Nirmala iku – shpjegon
-, por shpresoj që simotrat e saj ta çojnë përpara punën e bërë deri më tani për të
varfrit siç jam unë”.
Gjatë funeralit motër Pema, Eprorja aktuale e Misionareve të Dashurisë, e përshkroi
motrën Nirmala si një mishërim të atij guximit e përdëllimit për varfrit që shpalli
e kërkoi nga ne Nënë Tereza. “Motër Nirmala përhapi mesazhin e dashurisë e të përdëllimit
– tha motër Pema – me të gjithë ata njerëz që takonte. Nuk kishte manipulime, nuk
kishte pretendime. Çdonjërit i kushtoi kohën e hapësirën e duhur për t’i kuptuar shqetësimet
e vuajtjet e tyre”. “Motrës Nirmala përherë i buzëqeshte fytyra. Mund ta kemi humbur
fizikisht, por ajo vazhdon të jetojë përmes ideologjisë e filozofisë së saj”.
Gjatë 12 vjetëve të udhëheqjes së Urdhrit të Misionareve të Dashurisë, themeluar nga
Nënë Tereza në vitin 1950 në Kalkutë, motër Nirmala ka vizituar shumë Vende të botës,
duke hapur shtëpi të reja e mbledhur gjithnjë më shumë njerëz pranë Misionareve të
Dashurisë, të cilat tani kanë mase 4.500 motra rregulltare që veprojnë në 133 kombe
të ndryshme anë e mbarë botës, në shërbim të më të varfëve ndër varfër.
All the contents on this site are copyrighted ©. |