2015-06-25 17:58:00

Gjashtë mijë gra, viktima të dhunimit gjatë një viti, në Siri


Dhunë gjatë veprimeve luftarake, por edhe në burgje: ky, realiteti i grave siriane që, sipas raportit të "Euro-Mediterranean Human Rights Network" (Emhrn),janë përherë e më të rrezikuara nga të gjitha tipet e shpërdorimeve, në vendin e përfshirë në një konflikt, që vijon prej katër vjetësh.

Gratë vriten gjatë operacioneve ushtarake. Ekzekutohen gjatë masakrave. Trupat e tyre përdoren si mburoja njerëzore. Dhunohen gjatë sulmeve të armatosura. Rrëmbehen gjatë plaçkitjeve. Fyhen në të gjitha format në burgjet, ku janë mbyllur krejt pa faj. Jeta e tyre është dhunim e poshtërim i përditshëm. Një shembull: Aida, 19 vjeçe, e burgosur pa asnjë faj në tetor 2012, tregon se burri, që po e merrte në pyetje e që kërkonte prej saj një farë deklarate,  e  mbylli në një dhomë e pastaj u rikthye me tre shokë, që e dhunuan njëri pas tjetrit. Në fund, kur ishte krejt e gjakosur e gjysëm e vdekur, i bënë një injeksion, që të mund të mbahej në këmbë para gjykatësit. Për t’u dënuar me burgim të ri, domethënë me dhunime të reja!

Sipas raportit të Emhrn, shpërdorimi i grave konsiderohet si armë lufte në Siri, ku janë dhunuar më se gjashtë mijë gra, vetëm gjatë vitit 2013.  Me sa duket, ky fenomen është më i shpeshtë në tri situata: në post-blloqe, në burgje e gjatë sulmeve ushtarake. Thuhet se edhe anëtarët e armës të sigurimit kanë marrë pjesë në akte dhune seksuale. E në një shoqëri patriarkale, si ajo siriane,  turpi i dhunimit mund t’i çkurajojë më lehtë gratë ta tregojnë, atë që pësuan, sepse kështu mund të rrezikohen të përjashtohen nga radhët e fisit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.