2015-06-24 15:59:00

Kardinali Parolin: promovimi i lirisë fetare, për ndërtimin e shtëpisë së përbashkët


“Diplomacia e Selisë së Shenjtë e konsideron promovimin e lirisë fetare si impenjim të dorës së parë, ndërmjet angazhimeve të saj ndërkombëtare”. Këtë pohoi kardinali Pietro Parolin në takimin, organizuar me rastin e 40- vjetorit të Aktit përfundimtar të Helsinkit. Takimi u mbajt në Sallën Zuccari të Senatit Italian. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, pasi kujtoi me fjalë plot pasion ç’përfaqësoi Konferenca e Helsinkit për Selinë e Shenjtë, vërejti se liria fetare vijon të kërcënohet edhe sot kësaj dite, e jo vetëm në vendet totalitare, por edhe në shtetet që, ndonëse e mbajnë veten asnjanëse, e përjashtojnë çdo shprehje fetare nga jeta publike”.

Selia e Shenjtë e angazhuar kundër intolerancës dhe diskriminimit

Selia e Shenjtë, shtoi kardinali, nuk pushon s’i kujtuari bashkësisë ndërkombëtare nevojën e luftës kundër intolerancës dhe diskriminimit të të krishterëve, me të njëjtën vendosmëri, me të cilën lufton edhe urrejtjen për anëtarët e bashkësive të tjera fetare. Edhe një herë, nënvizoi me forcë, liria fetare dhe të drejtat e njeriut janë në bazë të paqes e të stabilitetit në Evropë. Nëse dialogu është mjet për të siguruar paqen, mbrojtja e të drejtave njerëzore është garanci për t’i ruajtur. Prej këndej, kujtoi posaçërisht mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve. Statusi i tyre, si të huaj, kujtoi, nuk ua shlyen dinjitetin si anëtarë të së njëjtës familje njerëzore.

Të veprohet kundër kulturës së hedhurinës, të mbrohet pasuria e përbashkët

Përkujtimi i akti përfundimtar të Helsinkit, vijoi kardinali Parolin,  sot është rast për të bërë thirrje në mbrojtje të shtëpisë sonë të përbashkët e edhe për të vepruar, që të mos ketë epërsi kultura e hedhurinës, e cila  e mat vlerën e njeriut vetëm me kategoritë ekonomike. Atje ku mbrohet liria fetare, pohoi, mbrohet pasuria përbashkët e të gjithë qytetarëve, besimtarë e jo besimtarë, e krijohen kushtet për një veprimtari, që i përfshin të gjithë, të pasur e të varfër, të parë e të fundmë, pakica e periferi.

Shën Gjon Pali II dhe akti i shpresës në procesin e Helsinkit

Kardinali Parolin e përfundoi diskutimin e tij, duke kujtuar fjalët e Shën Gjon Palit II me rastin e shtegtimit apostolik në Finlandë, në vitin 1989: “Në detyrën e fisme për të çuar deri në fund procesin e Helsinkit, pati thënë Papa Wojtyla, Kisha katolike do të jetë pranë jush, përkrah jush, me atë maturi, që karakterizon gjithë misionin e saj fetar. Ajo është e bindur për vlerën e idealit të mishëruar këtu, 14-vjet më parë në një dokument që, për miliona evropianë, është shumë më tepër se një dokument përfundimtar: është akt shprese”.








All the contents on this site are copyrighted ©.