2015-06-23 14:08:00

Vdiq motër Nirmala Joshi, në krye të Misionareve të Dashurisë, pas Nënë Terezës


Vdiq gjatë natës së djeshme, në Kalkutë, motër Nirmala Joshi, e para, që udhëhoqi Misionaret e Dashurisë, pas së Lumes shqiptare Nënë Tereza. Prej kohësh vuante nga zemra. Gjatë ditëve të fundit, njofton agjencia AsiaNews, pati një problem në veshka e të premten, më 19 qershor, mjekët e këshilluan të shtrohej në spital për dializë. Rregulltarja preferoi të kthehej tek simotrat e pas meshës së kremtuar në spital nga një jezuit, doli. Funerali do të kremtohet nesër, në orën 16 (sipas orës vendase). Sot, trupi i saj është vendosur në kishën e shën Gjonit, për t’u zhvendosur në mbrëmje në shtëpinë e motrave të Nënë Terezës, në Tengra, një lagje periferike e Kalkutës. Nesër, trupi do të çohet në shtëpinë kryesore të Kongregatës, ku do të kremtohen edhe salikimet e fundit.

Hinduiste, pasi njeh Nënë Terezën, kthehet në katolicizëm

Motër Nirmala lindi në vitin 1934, në Ranchi, kryeqyteti aktual i Jharkanda-s, atëherë provincë e Biharit dhe Orisës, nën perandorinë britanike indiane. Prindërit vinin nga Nepali e i ati ishte oficer në ushtrinë angleze, deri në pavarësinë e Indisë, në vitin 1947. Megjithëse prindërit ishin hinduistë, Nirmala u edukua nga misionarët e krishterë në Patna, kryeqytet i shtetit të Biharit. Në atë periudhë, njihet me punën e Nënë Terezës dhe shpreh dëshirën për ta ndihmuar. Shpejt bëhet katolike e pastaj, rregulltare në Misionaret e Dashurisë.

Nismëtare e degës kundruese të Misionareve të Dashurisë

E diplomuar në Shkenca Politike, pasi bën praktikë si avokate, dërgohet në Panama, në krye të njërit prej misioneve të para të motrave, jashtë Indisë. Në vitin 1976, motër Nirmala bëhet nismëtare e degës kundruese të Misionareve të Dashurisë, në krye të së cilës qëndron deri në zgjedhjen e saj si pasardhëse e Nënë Terezës në vitin 1997, gjashtë vjet pas vdekjes së themelueses së lume shqiptare. Më 26 janar 2009, në Festën e Republikës, qeveria indiane i dha çmimin e dytë më të lartë për shërbime ndaj kombit, Padma Vibhushan.

Pas saj, motër Mary Prema Pierick

Mandati i motër Nirmalës si eprore e Misionareve të Dashurisë përfundoi më 25 mars 2009. Pas saj, u zgjodh simotra me origjinë gjermane, Mary Prema Pierick, e cila është në krye të Kongregatës edhe sot e kësaj dite, duke u përpjekur ta ruajë, ta respektojë e ta çojë përpara përshpirtërinë e punën e palodhur të Nënë Terezës për më të varfërit e të varfërve.








All the contents on this site are copyrighted ©.