2015-06-23 13:34:00

Shpresa, qendra e “Instrumentum Laboris” të Sinodit për familjen


Sfidat, thirrja dhe misioni i familjes: janë këto vijat e përgjithshme të “Instrumentum Laboris” të Sinodit të 14-të të zakonshëm për familjen, që do të mbahet në tetor në Vatikan.

Relatio Synodi

         Dokumenti i punës, publikuar sot, përmban krejt Relacionin e Sinodit të jashtëzakonshëm të vitit 2014, integruar nga një përmbledhje e përgjigjeve të pyetësorit, që iu propozua gjatë këtij viti të gjitha Konferencave Ipeshkvnore Katolike nëpër botë, por edhe familjeve, universiteteve e institucioneve akademike. Dokumenti ndahet në tri pjesë: fillimisht dëgjohen, pra, merren parasysh sfidat e familjes, më pas reflektohet mbi thirrjen e saj në botën e sotme e së fundi, flitet për misionin e familjes.

Kundër mohimit të ndryshimeve seksuale

         Pikërisht, kur shoshiten sfidat e familjes së sotme, vihen në dukje kontradiktat kulturore të epokës, e cila po shkon drejt përcaktimit të identitetit personal e të intimitetit të ndjenjave, pa pyetur për ndryshimet biologjike ndërmjet mashkullit e femrës. Ka prirje të fuqishme për njohjen e martesave ndërmjet çifteve me të njëjtin seks. Në dokument, bëhet thirrje për t’u thelluar më mirë e për ta parë ndryshimin ndërmjet sekseve, jo vetëm nga pikpamja biologjike, por edhe nga ajo humane e kulturore. “Zhdukja e ndryshimit ndërmjet sekseve është problemi e jo zgjidhja e tij”, nënvizohet në “Instrumentum laboris”.

Familja, shtyllë themelore e shoqërisë

         Dokumenti vë në pah edhe kontradiktat shoqërore, që çojnë në prishjen e familjes: lufta, emigracioni, varfëria, kultura “përdor e flak”, kriza ekonomike, mungesa e institucioneve, të paafta të mbështesin familjet. Ndërkaq, këto të fundit kanë nevojë për politika të përshtatshme, që të kenë parasysh kontributin e tyre në mirëqënien e përgjithshme të shoqërisë.

Dinjitet për të moshuarit. Baritori e veçantë për emigrantët

         “Instrumentum laboris” përmend qartë rëndësinë e familjes si mjet integrimi, sidomos për kategoritë më të brishta si, të vejët, të moshuarit, të gjymtuarit, që duhen shoqëruar për të parandaluar e luftuar “forma të pamëshirshme paragjykimi”. Dokumenti kërkon një baritori të veçantë për familjet e emigruara, sepse – vëren – aty ku nuk respektohen të drejtat e të gjithëve, mund të ushqehen fenomene fundamentalizmi. E kjo dramë bëhet tragjedi kur emigracioni është i paligjshëm, i mbërthyer në darën e trafikut të qënieve njerëzore. Flitet edhe për rolin e grave, duke kujtuar shfrytëzimin, dhunën, abortin, shtatzaninë me qera, tregun e gameteve, por edhe duke uruar vlerësimin e tyre më të madh në Kishë.

Sakramenti i martesës është i pazgjidhshëm

         Pjesa e dytë e dokumentit ndalet në pazgjidhshmërinë e martesës sakramentore. I kërkohet Kishës t’i shoqërojë njerëzit në çastet e problemeve bashkëshortore, në këndvështrimin e një mëshire e mirëkuptimi, që nuk mohojnë të vërtetat e fesë. “Të gjithë kanë nevojë të japin e të marrin mëshirë”, lexohet në pjesën e tretë të dokumentit, e “disa kërkojnë që edhe Kisha të mbajë një qëndrim të tillë me ata, që e kanë thyer kurorën”. Përsa i përket anullimit të martesës, “Instrumentum laboris” përsërit idetë e Relacionit të Sinodit të jashtëzakonshëm mbi familjen, ku u theksua se procedura e anullimit duhet të jetë falas. Ka konsensus për kapërcimin e formulës “vendim i dyfishtë pohues”, pra për kapërcimin e nevojës që të merret i njëjti vendim si në shkallën e parë të gjykimit, ashtu edhe në të dytën. Ndërkaq, nuk pranohet nga të gjithë, ideja e një procedure administrative për anullimin e martesës, nën përgjegjësinë e ipeshkvit dioqezan.

Të rimendohen format e përjashtimit liturgjiko-baritor të të divorcuarve të rimartuar

         Përsa u përket të divorcuarve të rimartuar, në dokument theksohet se është e nevojshme të mos përdoren më “format përjashtuese të praktikuara aktualisht në fushën liturgjiko-baritore, edukative dhe bamirëse”, sepse këta besimtarë nuk janë jashtë Kishës. Megjithatë në vijat udhëheqëse të Sinodit kërkohet që rruga për integrimin baritor të tyre të paraprihet nga një shoshitje rast për rast e të realizohet gradualisht, me ndërgjegjësimin e këtyre personave. Përsa i përket pjesëmarrjes në Eukaristi të të divorcuarve të rimartuar, “Instrumentum laboris” vë në dukje konsensusin e Kishës mbi hipotezën e “udhës pendestare” nën autoritetin e ipeshkvit. Theksohet kundërshtimi i Kishës për martesat gay, por nënvizohet edhe se “çdo njeriu, pavarësisht nga prirja seksuale, i duhet respektuar dinjiteti dhe i duhet gjetur vendi, me ndjeshmëri e delikatesë, në Kishë e në shoqëri”. Që këndej, ftesa për plane baritore të veçanta për homoseksualët dhe familjet e tyre.

Edukimi i fëmijëve mbi bazën e ndryshimeve seksuale

         Duke nxitur pastaj, vlerësimin e adoptimit dhe të birësimit të përkohshëm, dokumenti pohon se “edukimi i fëmijëve duhet të bazohet mbi ndryshimet seksuale, e po kështu edhe nxjerrja e tyre në dritë”, sepse edhe ajo e ka bazën “në dashurinë bashkëshortore ndërmjet burrit e gruas”. Dokumenti përfundon, duke kujtuar Jubileun e jashtëzakonshëm të Mëshirës Hyjnore, që do të nisë më 8 dhjetor 2015, në dritën e të cilit zhvillohet edhe Sinodi. Asambleja ipeshkvnore do të mbahet nga 4 deri më 25 tetor e do të ketë për temë “Thirrja dhe misioni i familjes në Kishë e në botën bashkëkohore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.