2015-06-22 14:57:00

Spadaro: Laudato si’, Enciklikë “e hapur” për të mirën e planetit


“Nuk mund ta konsiderojmë natyrën si diçka, që nuk ka të bëjë me ne, ose si një kornizë të thjeshtë të jetës sonë”. Është një nga fragmentet e Enciklikës “Laudato si’”, dokument i cili vë në plan të parë urgjencën e promovimit të një ekologjie të gjithanshme, që përfshin përmasat njerëzore e shoqërore. Folëm për këtë me atë Antonio Spadaron S.J., drejtor i revistës “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi katolik), e cila ia kushtoi plotësisht numrin e saj të fundit, Enciklikës së Françeskut.

Përgjigje: - Më preku thellë vizioni i botës, i propozuar nga Papa; vizion global, i gjerë, që nënvizon larminë e pafundme të qenive të gjalla, e edhe lidhjet, marrëdhëniet ndërmjet tyre. Bota, për Papën Françesku, është ambient e jo objekt për t’u zotëruar. Prej këndej, mund të them se jemi para një vizioni shumë pozitiv të realitetit, shqyrtuar deri në hollësi: Papa flet për insektet e për atomet, por duke e parë gjithçka si një rrjet më të madh marrëdhëniesh; vizion pragmatik, e njëkohësisht, edhe tejet poetik. Më prek thellë në këtë Enciklikë edhe vizioni i botës, që natyrisht, është edhe antroplogjik, por jo antropocentrik: në të roli i njeriu nuk është ai i sundimtarit, por i rojtarit. Papa disa herë bën thirrje për kthesë ekologjike, dëshiron që njeriu  të zbulojë rolin e tij si rojtar i një dhurate të çmuar. E kjo nuk është opcionale, e as aspekt i dorës së dytë i përvojës së krishterë: Papa e thotë qartë se kujdesi për mjedisin është pjesë përbërëse e jetës së krishterë: të mos e bësh, është mëkat.

Pyetje: - Ç’të re sjell ky dokument që, sigurisht, ndjek gjurmët e traditës së Doktrinës Shoqërore të Kishës, natyrisht, duke sjellë edhe ndihmesë origjinale…

Përgjigje: - Ndoshta gjëja më interesante, më me vlerë, është se çështja ambientale, me këtë Enciklikë, bëhet një kapitull i Doktrinës Shoqërore. Që sot çështja nuk shtrohet më në planin nëse katolikët duhet të merren me çështjet e ekologjisë në perspektivë të fesë. Pra problemi nuk është a duhet ta bëjnë, por si duhet ta bëjnë këtë. Në këtë kuptim Papa propozon atë, që ai e quan “revolucion kulturor”. Do ta krahasoja me Rerum Novarum të Leonit XIII: atje në qendër të vëmendjes ishte çështja e punëtorëve, këtu, ambienti.

Pyetje: - Si në Evangelii Gaudium, edhe këtu, citohen shumë dokumente të Konferencave ipeshkvnore; a mund të flitet për një Enciklikë me frymë sinodale?

Përgjigje: - Absolutisht po! Ndjehet fryma kolegjiale, shumës, por edhe ekumenike e ndërfetare. Citohen Konferencat ipeshkvnore lokale, prej këndej mund të thuhet se mbarë Kisha merr pjesë në këtë dokument kaq të rëndësishëm të Papnisë; “dokument i hapur për të gjithë!”, mund ta quajmë, gati “open source” (Burim i hapur). Por e dimë se është edhe ekumenik, sepse Papa citon Patrikun Bartolomeu, e edhe një mistik islamik, prej këndej vërehet një urë e hapur për lidhjen me fetë e tjera: Papa u bën thirrje të gjitha feve të mobilizohen!

Pyetje: - Shihet se “Laudato si’” është dokument, që flet për ekologji të gjithanshme: ambientale, ekonomike, shoqërore….

Përgjigje: - Po, karakteristika e kësaj Enciklike është vërtetë e gjerësia dhe thellësia. “Laudato si’” është Encilikë shoqërore, jo vetëm ekologjike: inkuadron jetën e njeriut mbi tokë, duke e lidhur varfërinë me brishtësinë e planetit. Në këtë kuptim, vë në qendër të vëmendjes tokën e varfër, pohon se duhet mundur kultura e hedhurinës, në favor të kulturës së kujdesit. Prej këndej, mund të themi se është Enciklikë globale, që flet për jetën e njeriut mbi Tokë.

Pyetje: - Në shtator Françesku do të flasë në Kombet e Bashkuara në New York, në Asamblenë e Përgjithshme. Kjo Enciklikë, në një farë mënyre,   përshpejton e thekson edhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje të pritur…

Përgjigje: - Papa shikon një botë të ndërvarur e kjo lidhje na detyron të mendojmë për një botë të vetme, një projekt të vetëm, të përbashkët, duke propozuar rrugëzgjidhje që nuk nisen nga perspektiva të vogla e lokale, por nga perspektiva globale. Për Papën, Takimet botërore të nivelit të lartë kushtuar ambientit vitet e fundit, nuk kanë qenë të mjaftueshme, nuk i  kanë dhënë përgjigje - e këtë e thotë qartë në Enciklikë – shpresave, për shkak të mungesës së një vendimi politik. Prej këndej duhen forma, mjete të frytshme të governance globale, për t’i trajtuar problemet e përbashkëta. Sigurisht që Papa ka shumë lëndë për të trajtuar në Pallatin e Qelqit.








All the contents on this site are copyrighted ©.