2015-06-22 17:12:00

Shqipëri: Rezultatet për 37 bashki. 25 fiton e majta, 12 e djathta


Në Shqipëri ka përfunduar procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve lokale në 37 bashki. Në 25 prej tyre kanë fituar kandidatët e majtë, ndërsa në 12 fitues janë kandidatët e së djathtës. Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë OSBE-ODIHR ka dhënë sot, në një konferencë për shtyp, vlerësimin e tij. Sipas vëzhguesve, toni i fushatës ka qenë më i qetë se në zgjedhjet e mëparshme, por politizimi i institucioneve shqiptare vijon të minojë procesin zgjedhor. U kritikuan sidomos krerët partiakë të gjithëpranishëm në fushatat e kandidatëve të tyre për kryetar bashkie, si edhe mediat e mënyra e pasqyrimit të fushatës nga ana e tyre: tepër e politizuar e sipas interesave partiake të pronarëve të medias. Gjithashtu, zëdhënësja e misionit, Audry Glover, kërkoi pastrimin e listave nga rreth 1 milion zgjedhës, që jetojnë jashtë shtetit, shifër kjo e konsiderueshme, që mund të lerë vend për manipulime. Ndërkaq, nga vëzhgues shqiptarë është njoftuar se në 25% të qendrave të votimit janë hasur probleme me gjetjen e emrave në listë e shumë njerëz nuk kanë mundur të votojnë.

Raporti përfundimtar i misionit OSBE-ODIHR do të bëhet i njohur pas dy muajsh, por që tani, vëzhguesit theksojnë se procesi i numërimit të votave dhe pranimi i rezultatit nga partitë do të ndikojë në gjykimin e tyre për standartin e zgjedhjeve në Shqipëri.








All the contents on this site are copyrighted ©.