2015-06-22 13:34:00

Papa, të rinjve të Torinos: shkoni kundër rrymës, jini të dlirë


Dashuria komunikohet gjithnjë, dashuria është dialog. Papa e mbylli ditën e parë të vizitës së tij në Torino, duke takuar 90 mijë të rinj në sheshin Vittorio. Ati i Shenjtë i ftoi ta jetojnë dashurinë me dlirësi, duke shmangur kështu, prirjet hedoniste të kohës. Pasdite, Papa u ndal në kishën e Shën Terezës, ku janë martuar gjyshërit e tij.

         Atmosfera në sheshin Vittorio në Torino ishte ajo e festave të mëdha. Të gjitha famullitë e Piemontit derdhën në të mijëra të rinj me kryqin e Ditëve Botërore të Rinisë mbajtur me krenari prej tyre. Papa i ftoi ata të rinj ta jetojnë jetën me gjithsej, me dashuri, duke shkuar “kundër rrymës” e duke ndjekur fjalët e të Lumit Pier Giorgio Frassati: “jetoni, mos bëni gjoja sikur jetoni”:

         “Mua më trishtojnë në zemër të rinjtë, që dalin në pension 20 vjeç! Eh po! Plaken shpejt… Ajo, që nuk e lë të riun të dalë në pension, është dëshira për dashuri”.

         Sepse dashuria, nënvizoi Papa, është dialog. Nuk është ndjenjë romantike e çastit, është konkrete e nënkupton flijimin për të tjerët. Françesku u bën thirrje të rinjve të marrin vendime radikale, u jep këshilla, që mund ta bëjnë pak popullor në sytë e tyre, por nuk trembet:

         “Dashuria ka respekt për njerëzit, nuk i përdor njerëzit, pra, dashuria është e dlirë. E juve, të rinjve të kësaj bote, të kësaj bote hedoniste, të kësaj bote ku reklamohet vetëm kënaqësia, mirëqënia, ta kalosh mirë jetën, unë ju them: jini të dlirë, rrini të dlirë”.

         Kjo përsa u përket marrëdhënieve para martesës, por Papa nuk u ndal me kaq. Vërejti se në ajër ndjehet fort mosbesimi. Shkaqet janë të shumta, sidomos lufta, kjo Luftë e tretë Botërore që zhvillohet pjesë-pjesë, siç thotë shpesh Ati i Shenjtë. Por edhe hipokrizia, vuri në dukje dje:

         “Mua më bën të mendoj një gjë të vetme: njerëz drejtues, afaristë, që i thonë vetes ‘të krishterë’, e fabrikojnë armë. Kjo të shkakton mosbesim…ama, e quajnë veten ‘të krishterë’”.

         Kjo hipokrizi, vazhdoi Papa duke folur lirisht e pa letër me të rinjtë, gjatë shekullit të kaluar kaloi edhe përmes indiferencës së shteteve. Françesku përmendi tragjedinë e Armenisë, miliona të vdekurit, për të pyetur ku ishin Fuqitë e Mëdha atëherë? Pastaj tragjedia e hebrenjve, Shoah, e gjithnjë pyetja: pse të pushtetshmit e atëhershëm nuk ndërhynë, nuk i ndalën trenat që çonin në Aushvic? Pyetje, që akoma kërkojnë përgjigje.

         Para se të takohej me të rinjtë në sheshin Vittorio, Papa u ndal në kishën e Shën Terezës, ku janë martuar gjyshërit e tij. Gjatë vizitës së shkurtër, Ati i Shenjtë puthi gurrën e pagëzimit e shkroi një frazë, që i referohet vlerës së familjes dhe Sinodit të ardhshëm për familjen.








All the contents on this site are copyrighted ©.