2015-06-21 11:47:00

Zoti i përtërin njerëzit: Mesha dhe Engjëlli i Tënzot, pas lutjes para Sindonës


Papa Françesku sot është në Torino të Italisë, e do të jetë edhe nesër. Shkoi me rastin e ekspozimit të Sindonës, pra, të pëlhurës prej liri, ku pandehet të ketë mbetur gjurma e korpit të Krishtit. Sindona vijon të jetë e ekspozuar e do të mund të vizitohet nga publiku prej 19 prillit deri më 24 qershor.  

Papa e nisi vizitën duke takuar “botën e punës”, sot paradite, në sheshin Reale. Pikat e tjera kulmore: vizita në Tempullin Valdez, nesër paradite, e para e një pape në një vend kulti të kësaj besojme të krishterë protestante, si edhe takimi me disa familjarë të vet, në formë private, për kremtimin e meshës e për drekën. Kujtojmë se Jorge Mario Bergoglio ka origjinë piemonteze e në këtë zonë, jetojnë akoma të kushërinjtë.

Po ja programi më i hollësishëm i këtyre dy ditëve të vizitës papnore në viset e Sindonës dhe të të parëve të tij.

 Papa Françesku mbërrijti sot, në orën 8.00, në aeroportin Torino Caselle. Siç e thamë, në orën 8.30 u takua me botën e punës në sheshin Reale. Këtu e përshëndetën një punëtore, një bujk dhe një afarist. Më pas, Ati i Shenjtë shkoi në këmbë në katedrale, ku u ndal në lutje para Sindonës, si edhe para elterit të të Lumit Pier Giorgio Frassati. Në orën 10.45, kremtoi Meshën; më pas, edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin Vittorio, në praninë e 70 mijë vetëve..

Komentoi leximet liturgjike gjatë Meshës, Papa Françesku, duke u ndaluar tek dashuria e Zotit për ne: dashuri besnike, e patundur, e sigurt, që rikrijon gjithçka.

E Psalmi, vijoi të komentojë Papa, na ftoi ta falënderojmë Zotin, sepse “dashuria e Tij është përgjithmonë”, dashuri, që nuk të zhgënjen, që nuk mungon kurrë. Jezusi e mishëron këtë dashuri, është dëshmitar i saj. Ai nuk lodhet kurrë duke na dashur, duke na duruar, duke na falur, e kështu na shoqëron hap pas hapi në shtegtimin  e jetës:

“Jezusi na do gjithnjë, deri në fund të fundit, pa kufi e pa masë. E na do të gjithëve, deri në atë pikë, sa  secili nga ne të mund të thotë: ‘Dha jetën për mua’. Besnikëria e Krishtit nuk ndalet as përballë pabesisë sonë. Jezusi mbetet besnik edhe kur gabojmë; na pret, që të na falë. Ai është fytyra e Atit të mëshirshëm. Ja, kjo është dashuria besnike”.

Pastaj Papa komentoi aspektin e dytë, duke folur për dashurinë e Zotit, që rikrijon gjithçka, domethënë, i bën të reja të gjitha sendet, siç na e kujtoi dhe Leximi II. T’i pranosh kufizimet tua, ligështitë tua, kjo është porta që hapet për të siguruar faljen e Jezusit, dashurinë e tij, që mund të na përtërijë me fund, mund të na rikrijojë!

Atëherë ta bëjmë këtë provë: provën e takimit me Atë, që nuk erdhi për të shëndoshët, por për të sëmurët; s’erdhi për të drejtët, por për mëkatarët (cfr Mt 9,12-13). Ta provojmë durimin e Tij, dhimbsurinë, dëshirën për t’i shpëtuar të gjithë.

Së fundi, kujtoi Papa, dashuria e Zotit është e patundur, e sigurt, si krepat shkëmborë, që mbrojnë bregun nga tërbimi i valëve. Jezusi e tregon këtë në mrekullinë e rrëfyer në Ungjill, kur i jep urdhër stuhisë të pushojë, duke komanduar deri erën e detin (cfr Mk 4, 4,41). Dishepujt kanë frikë, ngaqë e dinë se nuk mund ta bëjnë atë, që bën Jezusi, por ai ua hap zemrat e ua mbush me guximin e fesë.

Sa herë edhe ne e ndjejmë se jemi të lodhur, se nuk mundemi më. Po ai është pranë nesh, me dorën e shtrirë e zemrën e hapur:

“Të dashur vëllezër e motra torinezë e piemontezë, etërit tanë e dinin mirë ç’do të thotë ‘shkëmb’! Ç’do të thotë ‘forcë’. Një dëshmi të bukur për këtë na e jep një nga poetët tanë të famshëm1, duke pikturuar portretin e gjallë të etërve tanë piemontezë:

“Të drejtë e të sinqertë, siç janë, duken gjithmonë,

Katrore kokën, shtatin e shëndoshë, pulsin e qetë,

Flasin krejt pak, po e dinë fort mirë çka thonë.

Edhe pse s’nguten, shkojnë prap shumë larg në jetë.

 

Njerëz që as kohën as djersën s’e kursejnë,

Kjo raca jonë kryelartë, pa fjalë të kota:

Gjithkush i njeh shumë mirë e e di sa vlejnë,

E, kur kalojnë, me sy i ndjek tanë bota!”.

Në këtë tokë, vijoi, u rritën shumë Shenjtorë e të Lumë, që e pranuan dashurinë e Zotit dhe e përhapën në mbarë botën: njerëz të lirë e krenarë. Në gjurmët e këtyre dëshmitarëve edhe ne mund ta jetojmë gëzimin e Ungjillit, duke praktikuar mëshirën. Më pas, porosia:

“Familjet kanë nevojë ta ndjenë ledhatimin amtar të Kishës, për të shkuar përpara në jetën bashkëshortore, në edukimin e fëmijëve, në kujdesin për pleqtë e edhe në transmetimin e fesë breznive të reja”.

E duke rikujtuar përsëri skenën e Liqenit të Galilesë, Papa theksoi:

“Ashtu si atëherë mbi Liqenin e Galiesë, edhe sot, në detin e jetës sonë, Jezusi është Ai, që fiton mbi forcat e së keqes e dhe mbi kërcënimet e dëshpërimit. Paqja, që na dhuron, u përket të gjithëve; edhe vëllezërve e motrave, që ikin nga luftërat e persekutimet, në kërkim të paqes e të lirisë”.

Në përfundim, Papa ia besoj tokën torineze Zojës së Ngushëllimit:

“Dje kremtuat Zojën e Ngushëllimit, la Consola, që rri atje, e vogël – dhe e madhe, pa pikë salltaneti... T’ia besojmë Nënës sonë udhën kishtare e civile të kësaj toke: Ajo na ndihmoftë për ta ndjekur Zotin, për të qenë besnikë e për ta lënë të na përtërijë e të na përforcojë në dashuri”- tha Ati i Shenjtë në përfundim të homelisë. 

Në përfundim të Meshës, kremtimi i Engjëllit të Tënzot. Kujtoi, së pari Virgjërën Mari, Papa, në lutjen e mesditës, Nënën plot dashuri e kujdes për gjithë bijtë e saj, që Jezusi ia besoi nga kryqi, ndërsa flijonte vetveten në gjestin më të madh të dashurisë. E menjëherë pas, foli edhe për Sindonën:

“Ikonë e kësaj dashurie është Sindona, që edhe këtë herë tërhoqi një mori njerëzish në Torino. Sindona të tërheq drejt fytyrës e korpit të martirizuar të Jezusit e, njëkohësisht, drejt fytyrës së çdo njeriu të vuajtur e të persekutuar padrejtësisht”.

Sindona na shtyn drejt dashurisë së Jezusit, vijoi Papa, duke kujtuar fjalët e Shën Palit “Caritas Christi urget nos” – “Dashuria e Krishtit nuk na lë të qetë”, që ishte edhe moto e Shën Giuseppe Benedetto Cottolengos.

Në vijim Françesku përshëndeti priftërinjtë, rregulltarët e ipeshkvijtë e Torinos, duke kujtuar një mori meshtarësh, në veçanti Dom Boskon, në dyqindvjetorin e lindjes, që ishin e janë gjithnjë pranë njerëzve e pranë problemeve të tyre. Ati i Shenjtë i porositi të përqendrohen gjithnjë mbi atë, që është themelore në predikimin e Ungjillit. E të jenë përherë përkrah njëri-tjetrit.

Ashtu si nisi, edhe përfundoi Papa, e pasi ia besoi qytetin dhe trojet tij Virgjërës Mari, uroi që banorët e Torinos, familjet, të rinjtë, pleqtë, të burgosurit, të gjithë ata që vuajnë, posaçërisht të sëmurët nga leucemia, në ditën kombëtare kundër leucemive, linfomave e mielomave, të jetojnë  me drejtësi, paqe e vëllazëri:

“Maria Ngushëlluese, Mbretëreshë e Torinos dhe e Piemontit, e bëftë të fuqishme fenë tuaj, të sigurtë shpresën tuaj e të frytshme dashurinë tuaj të krishterë, që të jeni “kripë dhe dritë” e kësaj toke të bekuar”-  ishte urimi i fundit i lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në sheshin Vittorio.

E, pas bekimit, Papa mori përsëri mikrofonin në dorë duke u përsëritur besimtarëve kërkesën: “E, ju lutem, mos harroni ta thoni një uratë për mua!”.

Në orën 14.30, Papa shkoi në formë private, në shenjtëroren e Zojës së Ngushëllimit e pastaj, në bazilikën e Zojës Ndihmëtare, ku u takua me salezianët dhe me salezianet. Kujtojmë se Sindona u ekspozua pikërisht me rastin e 200-vjetorit të lindjes së shën Gjon Boskos, bir i Torinos, pajtor i të rinjve.  Por Papa deshi të takojë edhe të vuajturit. Pas bisedës me familjen saleziane, Ati i Shenjtë shkoi me makinë në Cottolengo, ku u takua me të sëmurët dhe të gjymtuarit. Në orën 18.00, impenjimi i fundit publik për Papën Françesku: takimi me të rinjtë në sheshin Vittorio.

Nesër, pra ditën e hënë, më 22 qershor, vizita në Tempullin Valdez, ku Ati i Shenjtë do të mbajë një ligjëratë. Pas këngës korale, parashikohet që të gjithë të pranishmit të thonë së bashku “Atynën”.

Pasi të kthehet në kryeipeshkvi, Ati i Shenjtë do të takohet privatisht me familjarët e vet, do të thotë meshën në kapelë dhe do ta kalojë drekën me ta. Po në kryeipeshkvi, në orën 16.30, Papa do të bëjë një takim të shkurtër me anëtarët e Komitetit për Ekspozimin e Sindonës, me organizatorët dhe me mbështetësit e vizitës. Në orën 17.00, do të niset për në aeroport. Gjatë rrugës, do ta përshëndesin të rinjtë e “Estate Ragazzi”, nismë verore për të rinjtë, lindur në Bolonjë në vitin 1989.

 

1 Vargje të shkruar nga poeti piemontez Nino Costa (1886-1945) titulluar “Rassa nostrana”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.