2015-06-19 15:08:00

Papa: të mbledhim pasuri, që vlejnë në bursën e qiellit


Pasuritë e mbledhura për vete janë në zanafillë të luftërave, të shkatërrimit të familjeve, të humbjes së dinjitetit. Ndërsa  “luftë e përditshtme”, do të thotë t’i mbarështosh pasuritë që ke, e edhe ato të tokës, për të mirën e përbashkët. Kjo, porosia kryesore e Papës Françesku, në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Nuk janë si shtatore, pasuritë. Nuk rrinë të ngrira. Pa asnjë ndikim mbi jetën e njeriut. Pasuritë, kujtoi Papa, kanë prirjen  të rriten, të lëvizin, të zënë vend në jetë e në zemër. E në se zembereku, që e vë në lëvizje zemrën njerëzore, është grumbullimi i parave, pasuritë do ta pushtojnë e njeriu do të fundoset në korrupsion. Ndërsa zemrën e shpëton nga etja për para, vetëm pëdorimi i tyre për të mirën e përbashkët. 

Etja për para prish e rrënon

Nxitjen për homelinë, Papa e mori nga fragmenti i Ungjillit të ditës, në të cilin Jezusi u mëson dishepujve këtë të vërtetë: “Ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote”. Prej këndej, vëren edhe: “Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku mola e ndryshku brejnë e ku hyjnë hajdutët e rrëmbejnë; mblidhni për vete thesare që vlejnë për qiell”. Sigurisht, kujtoi Françesku, në rrënjë të grumbullimit, është dëshira për ta ndjerë veten të sigurt. Por rreziku që t’i mbledhësh pasuritë vetëm për vete e të bëhesh skllav i tyre, është tepër i lartë:

“Në fund të fundit këto pasuri nuk japin siguri përgjithmonë. Madje të bëjnë ta humbasësh dinjitetin tënd. E edhe atë të familjes; prej këndej, shumë familje shpesh ndahen. Edhe në rrënjë të luftërave është ambicia, që rrënon, korrupton. Në këtë mënyrë, në këtë çast, ka shumë luftëra, të ndezura për shkak të etjes për pushtet, për pasuri. Mund të mendojmë së pari për luftën, që niset në zemrën tonë. ‘Rrini larg çdo lakmie!’, kështu thotë Zoti. Sepse lakmia rritet, rritet, rritet… Është një këmbë shkalle, e pastaj hap portën: pas saj vjen kotësia, besimi se jemi të rëndësishëm, se jemi të pushtetshëm… e, së fundi, edhe fodullëku. E prej tij, të gjitha veset, të gjitha. Janë këmbë shkalle, por e para është lakmia, dëshira për të grumbulluar pasuri”.

Pasuria që kam, është për të tjerët

Françesku kujtoi edhe se grumbullimi është një nga cilësitë e njeriut e se të bësh gjëra e ta sundosh botën, është edhe mision. Atëhere, pohoi, kjo është lufta e çdo dite; si t’i përdorim sa më mirë pasuritë e tokës, që të jenë të drejtuara kah qielli e të bëhen pasuri të Qiellit.

Mos luaj me zjarrin

Ne, vërejti Papa, dëgjojmë shpesh justifikimet e shumta të njerëzve, që e kalojnë gjithë jetën duke mbledhur para. Ndërsa ne vetë, porositi Papa, çdo ditë duhet ta pyesim veten: “Ku është thesari yt? Në pasuritë apo në mbarështimin e tyre, në shërbim të së mirës së përbashkët”:

“Është e vështirë, njëlloj si të luash me zjarrin! Shumë e qetësojnë ndërgjegjen e tyre me lëmoshë, duke dhënë atë, që u tepron. Ky nuk është mbarështim. Mbarështuesi merr për vete atë, që tepron e uj ep të tjerëve në shërbim, gjithçka. Ta mbarështosh pasurinë do të thotë të zhvishesh vazhdimisht nga  interesi vetjak  e nga mendimi se janë pasuritë ato, që do të të sigurojnë shëlbimin. Të grumbullosh, po, bën mirë. Bëjnë mirë edhe thesaret: por ato që kanë vlerë, thënë simbolikisht, në “bursën e qiellit”. Atje , atje t’i grumbullojmë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.