2015-06-19 15:01:00

Papa takohet me Patriarkun Aphrem II


“Në këtë çast sprove e dhimbjeje, të forcojmë akoma më shumë lidhjet e miqësisë e të vëllazërimit ndërmjet Kishës Katolike e Kishës Siro-Ortodokse”. Këtë kërkoi Papa Françesku në takimin me Patriarkun Siro-Ortodoks të Antiokisë e të gjithë Lindjes, Mor Ignatius Aphrem II. “T’i përshpejtojmë hapat në udhën e përbashkët, duke e mbajtur vështrimin të ngulur në ditën, kur do të kremtojmë përkatësinë në të vetmen Kishë të Krishtit, përreth të njëjtit elter të flijimit e të lavdit. Le t’i shkëmbejmë thesaret e traditave tona si dhurata shpirtërore, sepse ç’na bashkon ka epërsi mbi atë, që na ndan”, vijon Ati i Shenjtë.

Papa kujton dialogun ekumenik të nisur që në vitin 1971, me takimin romak të Papës Pali VI me Patriarkun Mor Ignatius Jacob III. Në atë rast, ata nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi besojmën e njëjtë të fesë në misterin e Fjalës së Mishëruar, Zot i vërtetë e njeri i vërtetë, duke vënë kështu bazat e rrugës së përshkuar deri tani.

Bergoglio e ftoi Patriarkun të luten së bashku për viktimat e luftës e kujtoi meshtarët e marrë peng, sidomos dy mitropolitët ortodoksë, të rrëmbyer në Irak që prej dy vjetësh. Së bashku me të tjerët, nënvizon Ati i Shenjtë, ata japin dëshminë e përbashkët të martirizimit, duke u bërë fara e bashkimit të të krishterëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.