2015-06-19 18:20:00

Papa në Torino. Nosiglia: fytyra e qytetit ndrin nga shpresa


Papa Françesku vjen për t’i takuar të gjitha zemrat e Torinos: kështu u shpreh kryeipeshkvi i kryeqendrës piemonteze, imzot Cesare Nosiglia, duke paraqitur vizitën e Papës, të dielën dhe të hënën e ardhshme. Vizitë që bëhet kryesisht me rastin e ekspozimit të Sindonës e të dyqindvjetorit të lindjes së Shën Gjon Boskos. Por, ta dëgjojmë vetë imzotin Cesare Nosiglia:

Përgjigje: - Qëllimi kryesor, sigurisht, është vizita, lutja para Sindonës, që na kujton misterin e Mundimeve e të vdekjes së Zotit, në gjithë vrazhtësinë, por edhe në gjithë shpresën, që buron nga dashuria më e madhe, dhuruar botës përmes flijimit të Krishtit.

Pyetje: - Besohet se mbi pëlhurën sindonike është vulosur fytyra e Krishtit. Cilat fytyra “vulosen” mbi qytetin e Torinos?

Përgjigje: - Janë, sigurisht, fytyrat e varfërisë. Varfëria është në rritje, shtresat e mesme po kalojnë vazhdimisht në radhët e atyre më të varfëra, që një herë e një kohë ishin tipike vetëm për një pjesë të vogël të qytetit. Ne kemi qendrat tona të Karitasit, jashtëzakonisht të kërkuara, e edhe pakot, që na kujtojnë vitet ’50. Situata është e vështirë. Por nuk mungon as dëshira për të reaguar. Ka shumë njerëz që angazhohen për të varfërit, që luftojnë për t’u siguruar ardhmërinë, për t’u dhënë shpresë atyre e vetë qytetit, në këndvështrimin e punës e edhe të welfare. Po kjo e fundit ka për qëllim vetëm t’i shoqërojë njerëzit drejt ndryshimit, drejt rilindjes.

Pyetje: - Për shumë nga këta fytyra, Ungjilli dhe vizita e Papës mund të sjellin një ndryshim të vërtetë horizonti….

Përgjigje: - Natyrisht, një ndryshim shumë të fortë, një injeksion shprese, injeksion jete, injeksion angazhimi konkret nga ana e të gjithëve: si atyre që punojnë në vullnetariat, ashtu edhe atyre që janë subjekte të varfërisë. Duhen ndihmuar, por edhe duhen mësuar të reagojnë me forcë, të gjejnë mënyra për t’i vënë jetës së tyre një vulë të re. Mendoj se Sindona është shenjë e madhe shprese e me të drejtë Papa Françesku ka thënë se fytyra e Sindonës na shikon. Na shikon, për të na thënë: “Sa dashuri të kam dhënë e si dita të fitoj mbi të keqen me të mirë, vendosmërisht, plot me shpresë e besim në Atin e në forcën e dashurisë” Ky është mesazhi. E unë e vërej se ata, që vijnë këtu, mbeten me të vërtetë të prekur. Gjëja e parë, që bëjnë, është të shkojnë në rrëfyestore, gati-gati si të donin ta përtërinin menjëherë e thellësisht jetën e tyre.

Pyetje: - Ati i Shenjtë u kërkon të gjithëve të luten për të. Po dioqeza e  Torinos, ç’i kërkon Françeskut?

Përgjigje: - I kërkojmë ta ruajë dashurinë e thellë, që ka për tokën piemonteze. Rrënjët e tij janë këtu e ai e dëshmon këtë gjithnjë, në mënyrat më të ndryshme. Edhe me këtë vizitë dëshiron ta dëshmojë këtë dashuri të veçantë. Torino, nga ana e vet, duhet të dijë t’i japë Papës një përgjigje pozitive, sidomos duke e pranuar me fund e duke e jetuar frymën e re të “Evangelii gaudium”.








All the contents on this site are copyrighted ©.