2015-06-18 16:18:00

Toka Shenjte: zjarr në kishën e shumimit të bukëve në Tabgha


Gjatë natës së djeshme, në Tabgha të Galilesë, në liqenin e Tiberiades, një grup i paidentifikuar ekstremistësh i vuri zjarrin kishës së ndërtuar në vendin, ku, sipas traditës, Jezusi shumëfishoi bukët e peshqit, duke u dhënë për të ngrënë të gjithë të pranishmëve. Nuk është sulmi i parë kundër një kishe të krishterë në Izrael. Policia po bën hetimet e rastit. Ndërkaq, ne ia drejtuam mikrofonin, atë Nikodemit, të Urdhërit të Benedektinëve, të cilëve u është besuar Shenjtërorja e Tabgha-s:

Në orën tre e një çerek të mëngjesit, një nga murgjërit pa se po përhapej zjarri para kishës e para kuvendit: dy zjarre të mëdha. Murgjërit e vullnetarët – 8 vullnetarë rreth 20 vjeç – u përpoqën ta shuanin zjarrin, deri kur, pas 20 minutash, erdhën zjarrfikësit. Kemi dy vetë në spital, një murg 80 vjeçar e një vullnetare 20-vjeçare, të cilët dyshohet se janë intoksikuar nga tymi. Kemi dëme shumë, shumë të mëdha: e gjithë shkalla e hyrjes së kuvendit është djegur, së bashku me tremen e kishës. Është dëm i paparë. E mbi njërin nga muret e kuvendit është shkruar një frazë kundër të krishterëve.

Edhe kisha e shumëfishimit të bukëve është dëmtuar?

Jo kisha, por hapësira para kishës, që shërben për të hyrë në të. Nuk është hera e parë. Edhe vitin e kaluar, në ditën e fundit të vizitës së Papës në Jeruzalem, patëm një sulm të tillë në kishën tonë në “Dormition Abbey”. Përditë na sulmojnë, në pështyjnë, na shajnë, shkruajnë nëpër mure kundër nesh… por ku akt shënon një kulm të ri në dhunën kundër të krishterëve. Por, ndërsa nga njëra anë kemi këtë dhunë të pabesueshme, nga ana tjetër, kemi edhe solidaritet. Pas atentatit, erdhën këtu shumë hebrenj, shumë myslimanë, të krishterë e druzë për të na ndihmuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.