2015-06-18 14:25:00

Papa: jemi të brishtë, por duhet të kemi forcën e faljes


I krishteri duhet të jetë i vetëdijshëm se, pa ndihmën e Zotit, nuk mund të ecën në udhën e jetës së krishterë. Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës kremtuar sot në mëngjes në shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë Bergoglio theksoi se mund të lutemi mirë, vetëm nëse jemi në gjendje ti falim vëllezërit e nëse e kemi zemrën në paqe.
Brishtësia, lutja, falja. Papa Françesku e shtjelloi homelinë e tij mbi këto tri pika duke nënvizuar para se gjithash se jemi të “ligësht”, një ligështi të cilën “të gjithë ne e kemi pas plagës së mëkatit të rrjedhshëm”.
Jemi të dobët, ripohoi Papa, e kështu “biem në mëkate, e atëherë duhet ta dimë se nuk mund të shkojmë përpara pa ndihmën e Zotit”:
“Kush beson shumë, kush beson se mund t’ia dalë me forca të veta, është naiv e në fund të fundit mbetët njeri që pëson disfatë nga shumë, shumë ligështi që ka në vete. Brishtësia që na sjell t’i kërkojmë ndihmë Zotit, sepse “në dobësinë tonë nuk mund të bëjmë asgjë pa ndihmën e tij’, do të thotë se jemi lutur. Ne nuk mund të bëjmë asnjë hap në jetën e krishterë pa ndihmën e Zotit, sepse jemi të ligësht. E ai njeri që qëndron në këmbë, duhet të ruhet e të ketë kujdese të mos bie, sepse natyra jonë njerëzore është e brishtë”.
“E ne jemi të brishtë edhe në fe. “Të gjithë ne kemi besim – pohoi Papa – të gjithë ne duam të ecim përpara në jetën e krishterë, por nëse nuk jemi të vetëdijshëm për dobësinë tonë, do të pësojmë disfatë të gjithë”. Për këtë arsye është e bukur ajo uratë që thotë: “O Zot unë e di se në ligështinë time nuk mundem asgjë pa ndihmën tënde hyjnore”.
Papa Françesku pastaj u ndal te rëndësia e uratës. Jezusi, kujtoi ai, na “mëson të lutemi” por jo “si paganët” që mendonin se lutja e tyre do të “dëgjohej në saje të forcës së fjalëve” që shqiptonin. Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi nënën e Samuelit e cila përmes uratës i kërkonte Hyjit hirin e dhuratës së një djali e këtë, ajo e kërkonte gjatë uratës, gjatë së cilës vetëm sa arrinte t’i  lëvizte buzët. Prifti Heli që rrinte aty në derë të tempullit, pohoi Papa, e shikonte gojën e saj dhe ishte i bindur se gruaja ishte e dehur dhe e qortoi:
“Ajo vetëm sa arrinte ti lëvizte buzët sepse nuk mund të fliste...I kërkonte Hyjin një djalë. Kështu lutej, para Hyjit. E në uratë, dhe ne e dimë se Ai është i mirë dhe di gjithçka për ne dhe i di gjërat për të cilat ne kemi nevojë, të fillojmë ta themi fjalën: ‘Atë’, që është fjalë njerëzore, sigurisht po, por ajo na jep jetë, mirëpo në uratë këtë fjalë ne mund ta themi vetëm me forcën e Shpirtit Shenjt”.
“Ta fillojmë uratën me forcën e Shpirtit që lutet në ne – nxit Papa – të lutemi, thjeshtë, kështu. Me zemër të hapur para pranisë së Hyjit që është Atë dhe e di, e di për të cilat sende ne kemi nevojë, para se ne ti përmendim”.
Së fundi, Papa Françesku u ndal te rëndësia e faljes, duke nënvizuar se si Jezusi u mësoi dishepujve të tij se nëse ata nuk do ti falin gabimet e të tjerëve, as Ati Qiellor nuk do t’ua falë atyre:
“Ne mund të lutemi mirë vetëm duke i thënë Hyjit ‘Atë’ dhe nëse e kemi zemrën në paqe me të tjerët, me vëllezërit tanë. ‘Por, atë, ky më ka bërë këtë, ky tjetri më ka bërë këtë gjë tjetër e pastaj më ka bërë edhe këtë..e edhe këtë...’- ‘Fale’. Fal, sikur Ai do të falë ty’. E kështu ligështia që ne kemi, me ndihmën e Zotit, në lutje, shndërrohen në fuqi, sepse falja bëhet forcë e madhe. Prandaj duhet të jemi të fortë për të falur, e të mos harrojmë se kjo qëndresë dhe forcë është hir e bekim që ne kemi marr nga Zotit sepse ne jemi të brishtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.