2015-06-18 12:16:00

Kisha katolike në Shqipëri në shqyrtim


Kisha katolike në Shqipëri në datat 18,19,20 qershor  mblidhet në një Asamble Kombëtare, e para në këto 25 vite pas komunizmit, për një verifikim të punës së bërë në këto vite, të pranisë së saj në jetën shoqërore shqiptare dhe perspektivat e angazhimit të saj në të ardhmen. Është një analizë jo vetëm ndaj punës, por mbi të gjitha ndaj besnikërisë së Kishës, e cila ka arsyen e saj të ekzistuarit në misionin për t’u shpallur njerëzve ungjillin, që do të thotë lajmin e mirë të dashurisë së Zotit për njeriun në Birin e tij Jezu Krishtin.

Kjo Asamble ka për temë “Gëzimi i Ungjillit dje, sot dhe nesër”. Të pranishëm në këtë Asamble, përveç hierarkëve, pra të gjithë ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë, do të jenë të pranishëm edhe priftërinj, motra, laikë dhe laike të cilët do të ndjekin punimet dhe do të diskutojnë gjatë ditëve të Asamblesë.

Kisha katolike në Shqipëri është e vetëdijshme se në këto vite pas rënies së komunizmit, nga ana e saj ka bërë shumë gjëra dhe ka qenë një prani e rëndësishme në jetën e shoqërisë shqiptare. Gjithashtu jemi po aq të vetëdijshëm se shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë e mund të ishin bërë më shumë. Nuk do të mungojë gjatë kësaj Asambleje një vështrim kritik, në kuptimin e dëshirës për të vlerësuar e për të përmirësuar angazhimin tone për të ardhmen.

Gjatë Asamblesë do të ndërhyjnë personalitete të Kishës Katolike në Shqipëri si dhe do të paraqiten rezultatet e një pune të bërë duke hedhur vështrimin mbi të ardhmen.

Kjo Asamble do të zhvillohet në auditoriumin e Shkollës së Mesme “Pjetër Mëshkalla s.j.” në Shkodër. Mediat do të jenë të pranishme në fjalën e hapjes që do të mbahet nga SH.T. Imzot Angelo Massafra o.f.m., President i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë dhe përshëndetjen nga ana e Nuncit Apostolik në Shqipëri SH.T. Imzot Ramiro Molinar Ingles. Më pas mbledhja do të vijojë me dyer të mbyllura. Në fund të çdo dite do të ketë një komunikatë për shtyp që do t’u përcillet mediave në formë elektronike në të cilën do të bëhet një përmbledhje e atyre çka janë thënë gjatë ditës.

Për sekretarinë e Asamblesë

dom Gjergj Meta








All the contents on this site are copyrighted ©.