2015-06-17 19:27:00

Përfunduan në Romë ushtrimet shpirtërore botërore të meshtarëve


“Dishepulli i Zotit e posaçërisht meshtari, nuk është i thirrur ‘një herë e përgjithmonë’, por thirret “ditë për ditë”, çast për çast. Jeta e dishepullit është përgjigje e përhershme, që i jep Atij, i cili na do me një dashuri të jashtëzakonshme, me një synim të vetëm: shenjtërinë. Me këto fjalë i mbylli prefekti i Kongregatës për Klerin, kardinali Beniamino Stella ushtrimet  shpirtërore, mbajtur për herë të tretë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, që filluan më 14 qershorin e kaluar, organizuar nga Catholic Renewal Services dhe Catholic Fraternity of Charismatic Covenant Communities and Fellowships. Takim i madh, i treti.  Me peshë të rëndë për jetën e Kishës, në të gjitha aspektet e saj e në mbarë botën. E edhe për kohët që do të vijnë. Sepse preku në nerv. E sidomos, në shpirt.

Takim e kumt, plot me gëzim e të reja, që shtrihen përtej kufijve të Kishës katolike e përtej kontinentit evropian, në mbarë universin, sepse Kisha është universale. U fol për Afrikën, si kontinent ku përgatitet të shkelë së shpejti Papa; për Republikën Qendroafrikane; Ugandën e ndoshta edhe Kenien; për Azinë, kontinentin e martirizuar e njëkohësisht aq premtues për krishterimin, prej nga  përhapen në mbarë botën dëshmi të fesë, që nuk mund të mos i trandin ndërgjegjet e të vënë pikëpyetje mbi mënyrën si e jeton shumëkush në botë besimin në Krishtin. U fol edhe për ekumenizëm konkret e përtëritje të gjithanshme.  Në  Meshën përfundimtare, kremtuar të diel, 14 qershor, kardinali mëkëmbës Agostino Vallini theksoi se “për të qenë ungjillëzues i mirë, është e nevojshme të lutesh shumë, të heshtësh shumë e të meditosh shumë, duke  e mbajtur gjithnjë pranë Ungjillin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.