2015-06-17 18:40:00

Papa: të premten pret patrikun e Antiokisë Aphrem II


 Takimi me Papën Françesku do të jetë çasti kryesor i vizitës që Moran Mor Ignatius Aphrem II, patrik siro-ortodoks i Antiokisë dhe i gjithë Lindjes, do të bëjë në Romë nga 17 deri më 20 qershor. Njoftimin e jep gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”. Patriku do të pritet nga Papa të premten, më 19 qershor, e do të lutet së bashku me të. Pastaj do të vizitojë Këshillin Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve e do të shkojë edhe te varri i Shën Pjetrit Apostull.

Aphrem II u zgjodh i 123-ti patrik siro-ortodoks i Antiokisë dhe i mbarë Lindjes, në vitin 2014.

Kisha siro-ortodokse lindi nga bashkësitë e para të krishtera të vendosura në Antioki. Në këtë qytet banuan Shën Pjetri e Shën Pali, Apostuj. Që këtu u nisën misionarët e parë, që ungjillëzuan Azinë dhe Evropën. Kisha siro-ortodokse, si të gjitha Kishat lindore, ka një strukturë patriakale. Numëron më se 1 milion e 800 mijë besimtarë në mbarë botën. 600 mijë siriakë ortodoksë janë në Siri, në Turqi, në Irak, në Liban e në Izrael; disa valë emigracioni u drejtuan edhe në SHBA, Kanada, në Mbretërinë e Bashkuar, Australi e Zelandë të Re. Bashkësia më e madhe, me 1.200.000 besimtarë, është ajo e Indisë

Kisha ortodokse e Kerala-së, Kishë malankareze siro-ortodokse, është pjesë përbërëse e Kishës siro-ortodokse dhe e njeh Patrikun e Antiokisë si prijësin më të lartë të saj. Katholikosi i Indisë për Kishën malankareze siro-ortodokse është Fortlumturia e Tij Mor Baselios Thomas I, i cili do të bëjë pjesë në delegacionin, që do të  vijë për vizitë te Papa, në Romë. Kjo Kishë martire kaloi shumë çaste të tmerrshme persekutimi në historinë e saj e vijon të kalojë edhe sot, me ngjarjet tragjike që ndodhin ditë për ditë në Siri e Irak. Kryepeshkopi i Kishës siro-ortodokse të Halebit, Mor Gregorious Yohanna Ibrahim, së bashku me peshkopin Paul Yazigi u rrëmbyen dy vjet më parë, më 22 prill 2013, në rrethinat e qytetit. Kështu Kisha siro–ortodokse vijoi të pësojë goditje, edhe pas tragjedisë së  tmerrshme në fund të Luftës I Botërore, që njihet me emrin Sayfo (Shpata) e që i kushtoi jetën gjysëm milioni sirianësh, gjë që ndodhte njëkohësisht me dhunën e ushtruar mbi popullin armen.

Kisha siro-ortodokse, ndërmjet Kishave ortodokse lindore, është shumë pranë Kishës katolike. Deklarata e përbashkët, nënshkruar nga Gjon Pali II dhe patriku Mor Zakka Iwas, në Romë (23 qershor 1984), pohon se të dyja palët dëshmojnë të njëjtën fe në Krishtitn e se divergjencat në terminologjinë kristologjike janë pasojë e larmive kulturore.

Në nëntor 1993  Komisioni teologjik i përbërë i Kishës katolike dhe Kishës siro-ortodokse malankareze hartoi një marrëveshje mbi martesat ndërfetare, që njihet si “Kontrata Kerala”. Kjo marrëveshje u miratua nga Gjon Pali II dhe nga patriku, më 25 janar 1994, pasuar nga një sërë direktivash baritore.  








All the contents on this site are copyrighted ©.